E PËRDITËSUAR / Pas përfundimit të takimit historik në Anchorage të Alaskës, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, deklaruan se kanë zhvilluar bisedime të hapura dhe konstruktive, me theks të veçantë te konflikti në Ukrainë.
Megjithëse nuk u arrit një marrëveshje përfundimtare, të dy liderët shprehën vullnet për të vazhduar përpjekjet diplomatike.
Presidenti Trump deklaroi se ai dhe presidenti Putin “bënë disa hapa përpara” dhe “arritën përparim të madh” gjatë takimit të tyre dypalësh.
Megjithatë, ai theksoi: “Nuk ka marrëveshje, derisa të ketë një marrëveshje.”
“Do të kontaktoj NATO-n shumë shpejt. Do të flas me personat që mendoj se janë të përshtatshëm. Dhe, sigurisht, do ta telefonoj Presidentin [Volodymyr] Zelensky për ta informuar për takimin e sotëm. Në fund të fundit, vendimi u takon atyre,” tha Trump.
“Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe u ra dakord për shumë pika,” tha ai, por shtoi: “Nuk arritëm deri në fund, por kemi një mundësi shumë të mirë për ta arritur.”
Ai shtoi se Presidenti Putin “dëshiron ta shohë fundin e luftës po aq sa edhe unë.”
Nga ana tjetër presidenti Putin deklaroi se negociatat u zhvilluan në një “atmosferë konstruktive dhe me respekt reciprok”. Ai theksoi rëndësinë simbolike të vendit ku u mbajt samiti, duke përmendur afërsinë gjeografike mes dy vendeve.
“Nuk ka pasur samit mes SHBA-së dhe Rusisë për më shumë se katër vjet. Na u desh ta ndryshonim situatën – nga përballja te dialogu,” tha Putin.
Ai deklaroi se tema qendrore e diskutimit me Presidentin amerikan Donald Trump ishte konflikti në Ukrainë.
Presidenti rus theksoi se për të arritur një zgjidhje “të qëndrueshme dhe afatgjatë”, është e domosdoshme të eliminohen “shkaqet kryesore të konfliktit”, pa dhënë detaje se cilat janë konkretisht ato shkaqe.
“Jam dakord me presidentin Trump që siguria e Ukrainës duhet të garantohet. Ky takim nuk do të përdoret për marrëveshje të fshehta. Është thelbësore që dy vendet tona t’i rikthehen bashkëpunimit,” tha Putin.
Në përfundim të konferencës, asnjëri prej presidentëve nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet e gazetarëve.
Përfundon takimi Trump-Putin
Takimi me dyer të mbyllura i Donald Trump me Vladimir Putin ka përfunduar pasi zgjati pothuajse tre orë. Tani pritet një konferencë për media.
Kremlini e konfirmoi se Vladimir Putin do t’i bashkohet Donald Trumpit në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kremlini e konfirmoi se Vladimir Putin do t’i bashkohet Donald Trumpit në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Bëhet e ditur se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari special Steve Witkoff iu bashkuan presidentit amerikan kur filloi takimin me Putin, i cili gjithashtu ishte shoqëruar nga këshilltarët e tij.
Takimi Trump–Putin zgjat më shumë se parashikimet
Takimi dypalësh ndërmjet presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin vazhdon të zhvillohet, pavarësisht se kanë kaluar mbi dy orë që nga fillimi i tij, ka bërë të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Zgjatja e takimit po interpretohet si sinjal se bisedimet po ecin në një drejtim të rëndësishëm, duke marrë parasysh se Trump kishte deklaruar më herët gjatë javës se do t’i mjaftonin vetëm “dy minuta” për të kuptuar qëllimet e Putinit.
Shtëpia e Bardhë nuk kishte dhënë një kohë të saktë për përfundimin e samitit, duke qenë e vetëdijshme se çdo devijim nga plani do të komentohej si sukses apo dështim. Nga ana tjetër, Kremlini kishte lënë të hapur mundësinë që takimi të zgjaste disa orë.
Zgjatja e diskutimeve është gjithashtu e rëndësishme duke marrë parasysh se dy liderët, zakonisht, kanë zhvilluar telefonata që zgjasin nga një orë deri në 90 minuta. Gjithashtu, përkthimi në takime kërkon më shumë kohë, pasi, edhe pse Putin flet anglisht, zakonisht i zhvillon takimet në gjuhën ruse.
Fakti që ende nuk është kaluar në drekën e zgjeruar dypalëshe shihet si një tregues se Presidenti Trump nuk ka ndier ende nevojën të largohet nga bisedimet – një veprim që e kishte paralajmëruar në rast se takimi do të merrte drejtim negativ, shkruan CNN.
Nis takimi historik, Trump-Putin në Alaska
Takimi midis presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin ka filluar pa vonesa menjëherë pas mbërritjes së tyre në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaskë. Bisedimet mes tyre pritet të vendosin mbi fatin e luftës në Ukarinë.
Para se të nisnin diskutimet në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson, liderët së bashku me zyrtarët e tyre më të lartë u fotografuan duke u ulur para një sfondi ku shkruhej “Alaska 2025” dhe “Drejt Paqes.”
Udhëheqësit botërorë shkëmbyen dorëzat, por nuk iu përgjigjën pyetjeve nga gazetarët.
Para se të aterronin, Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi kokë më kokë që ishte planifikuar midis dy udhëheqësve tani do të përfshijë këshilltarët e tyre. Zyrtarët rusë që shoqërojnë Putin janë këshilltari i politikës së jashtme Yury Ushakov dhe Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, tha për CNN zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Takimi i shumëpritur, Trumpi dhe Putini ballë për ballë në Alaska
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka pritur Presidentin rus, Vladimir Putin, në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage, Alaska.
Dy liderët botërorë u përshëndetën me shtrëngim duarsh.
Ata ecën së bashku mbi tapetin e kuq dhe pozuan për një fotografi, por nuk morën pyetje nga gazetarët.
Teksa presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin u takuan në pistën e aeroportit në Alaska, një formacion avionësh ushtarakë amerikanë kaloi sipër tyre, duke përfshirë avionë luftarakë dhe atë që dukej të ishte një bombardues i fshehtë B-2, shkruan CNN.
Ky është takimi i parë midis Putinit dhe një presidenti amerikan që kur Putin u takua me Joe Biden në Gjenevë në vitin 2021.
Ndryshe, presidenti Trump ka deklaruar se fokusi i takimit të tij me presidentin Putin do të jetë zgjidhja e luftës në Ukrainë, përpara çfarëdo marrëveshjeje tregtare me Rusinë.