Të gjitha modelet e ardhshme të iPhone 17 do të vijnë të pajisura me 12 GB RAM për të mbështetur Intelligence-in e Apple, sipas informatorit Digital Chat Station me bazë në Weibo.
Pretendimi nga informatori kinez, i cili ka burime brenda zinxhirit të furnizimit të Apple, vjen disa ditë pasi analisti i industrisë Ming-Chi Kuo tha se iPhone 17 Air, iPhone 17 Pro dhe iPhone 17 Pro Max do të jenë të pajisur me 12 GB RAM.
Kuo tha gjithashtu se edhe modeli bazë i iPhone 17 mund të jetë i pajisur me 12 GB RAM, por kjo do të varet nëse mungesat në zinxhirin e furnizimit mund të kapërcehen.
Ai shtoi se Apple do të marrë një vendim përfundimtar për sasinë e RAM-it që do të ofrojë në modelin e rregullt të iPhone 17 deri në maj.
Edhe nëse modeli bazë i iPhone 17 mbetet me 8 GB RAM, Kuo tha se pret që të gjitha modelet në linjën e iPhone 18 të vitit të ardhshëm të kenë 12 GB RAM.
Aktualisht, të gjitha modelet e iPhone 16 vijnë me 8GB RAM , kështu që kalimi në 12GB do të ishte një rritje e madhe.
Më shumë RAM mundëson që modelet e inteligjencës artificiale (IA) më të mëdha dhe më të afta të funksionojnë lokalisht, duke përmirësuar shpejtësinë, reagimin dhe kompleksitetin e detyrave pa u mbështetur shumë në shërbimet cloud.
Një rritje prej pesëdhjetë përqind e RAM-it të ndashëm do të lejonte gjithashtu kryerjen më të lehtë të shumë detyrave njëkohësisht, me proceset e IA-së që funksionojnë në sfond pa ngadalësuar aplikacionet aktive.