Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” nga Kosova do të performojë nesër në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Ky koncert, i cili zhvillohet me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës, do të sjellë në TKOBAP një orkestër me të rinj plot energji të cilët do të dhurojnë emocione në këtë datë të shënuar.
Nën dirigjimin e Vehbi Shosholli, të rinjtë nga Kosova do të sjellin një program të larmishëm që ndërthur elegancën klasike me energjinë moderne dhe ritmet shqiptare. Koncerti do të përfshijë vepra si “Gramophone Waltz”, pjesë nga Beethoven, “Palladio”, ritmet e njohura të “Can-Can” si dhe tinguj shqiptarë si “Malësorja”.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë një eksperiencë të pasur kulturore, ku muzika do të lidhet ngushtë me historinë dhe identitetin kombëtar. Koncerti titullohet “Brezi i lirisë” dhe në programin e tij janë parashikuar pjesë nga: Beethoven, Haydn, Jenkins, Texidor, Offenbach, Hopkins, Doga, Antonido etj.



