Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municion në fshatin Kashtanjevë të Shtërpcës, pasi pas mesnate u informua për disa të shtëna.
Siç njofton Policia, ata hasën një grup prej gjashtë personash që po qëndronin për piknik në këtë fshat.
“Më datë 20.04.2025, rreth orës 00:40, policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar informacion se në fshatin Kashtanjevë, komuna e Shtërpcës, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas pranimit të informacionit, dy njësi patrulluese kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur një grup prej gjashtë personash që po qëndronin për piknik. Ekzistonte dyshimi se disa prej tyre kishin përdorur armë zjarri”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Gjatë kontrollit të realizuar në vendngjarje, tek të dyshuarit D. F. (40 vjeç) dhe U. A., 25 vjeç, meshkuj, kosovar, janë gjetur dhe konfiskuar këto armë dhe municione: 1 pushkë gjahu me 3 fishekë dhe 5 gëzhoja, 1 revole me 2 karikatorë dhe 23 fishekë, 1 revole me 1 karikator dhe 5 fishekë, 2 sopata”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.
Të dyshuarit u shoqëruan në stacionin policor në Shtërpcë dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, u liruan në procedurë të rregullt “për hetime të mëtejme”, thotë Policia.



