Të shtëna me armë u dëgjuan jashtë ndërtesës së parlamentit të Serbisë në Beograd të mërkurën, ku një person mbeti i plagosur, raportuan mediat lokale.
Një video e publikuar nga media NOVA, vendndodhja e së cilës është konfirmuar nga Reuters, tregonte oficerë të armatosur sigurie duke iu afruar një tende të madhe jashtë parlamentit.
U dëgjuan disa të shtëna dhe më pas shpërtheu zjarr brenda tendës, njëra nga disa që janë ngritur këtë vit nga mbështetësit e presidentit Aleksandar Vuçiqit gjatë protestave kundër qeverisë.
Nuk ishte e qartë se kush hapi zjarr apo si nisi zjarri.
Policia lokale nuk pranoi të komentojë.
NOVA raportoi se një person është plagosur. N1 TV njoftoi se një burrë 57-vjeçar u plagos nga një plumb dhe ndodhet në gjendje stabile.
Një video tjetër e publikuar në platformën X tregonte një burrë të shtrirë në tokë me duart pas shpine, i rrethuar nga oficerë policie.
Menjëherë ka reaguar presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Ai ndodhej në një takim qeveritar dhe deklaroi se ishte i detyruar të largohej pasi një akt terrorist kishte ndodhur para Parlamentit të Serbisë, shkruajnë mediat serbe.
“Po flas si i pari dhe kërkoj ndjesë që do të më duhet të largohem nga ky takim i mrekullueshëm. Arsyeja është akti terrorist që ndodhi para Parlamentit serb, kështu që do të duhet të merrem me gjëra të tjera”, tha Presidenti i Serbisë.



