Një vozitës me automjet të tipit Audi S6, me targa zvicerane (TG), është ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi ka kryer një tejkalim të rrezikshëm dhe të paligjshëm përmes trotuarit, duke vënë në rrezik jetën e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, përfshirë këmbësorët në zonën e një udhëkryqi në qytetin e Gjilanit.
Ngjarja ka ndodhur më 24 korrik 2025 dhe është dokumentuar përmes pamjeve filmike të publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjetet sociale, të cilët kanë filmuar momentin kur automjeti devijon në mënyrë të rrezikshme në trotuar për të shmangur kolonën.
Sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor nr. 08/L-186, veprimi i tillë paraqet shkelje të rëndë të ligjit dhe një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë publike. Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Gjilan ka vepruar menjëherë duke identifikuar shoferin dhe duke shqiptuar gjobën përkatëse, bazuar në dispozitat e legjislacionit në fuqi.
Po ashtu, në përputhje me marrëveshjen bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, e cila rregullon bashkëpunimin në trajtimin e kundërvajtjeve rrugore të kryera nga shtetas të njërit vend në territorin e tjetrit, rasti është përcjellë për trajtim të mëtejmë edhe tek autoritetet zvicerane.
Policia e Kosovës në Gjilan ka bërë thirrje për respektim të rregullave të komunikacionit rrugor dhe ka inkurajuar qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë veprime të rrezikshme në trafik. Denoncimi mund të bëhet përmes stacioneve policore, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, adresës elektronike info@kosovopolice.com, ose numrave të telefonit 192 dhe 038 508 07001.
Policia garanton se të dhënat e raportuesve do të trajtohen me konfidencialitet të plotë, ndërsa zotohet për vazhdimin e angazhimit për një mjedis më të sigurt rrugor për të gjithë qytetarët.



