Gazeta britanike “The Telegraph” ka publikuar një raport investigativ ku pretendohet se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i pranishëm në një nga pozicionet ushtarake serbe mbi Sarajevë gjatë rrethimit të viteve 1992–1996, nga ku – sipas akuzave – të huaj kanë paguar për të qëlluar me snajper mbi civilët boshnjakë.
Raporti i Telegraph sjell dëshmi, pamje dhe rrëfime të reja të asaj që media britanike e quan “sniper safaris”, praktika ku snajperistë të ndryshëm dyshohet se kanë qëlluar civilët e Sarajevës në këmbim të pagesave.
“The Telegraph” thekson se Vuçiq dyshohet të ketë qenë në këto pozicione ushtarake në kohën kur qyteti qëndronte nën një nga rrethimet më të gjata dhe më të përgjakshme në historinë moderne europiane.
Publikimi ka shkaktuar reagime të menjëhershme në Bosnje, Kosovë dhe Kroaci, ndërsa pritet që institucionet boshnjake të kërkojnë hetim ndërkombëtar. Nga pala serbe nuk ka ende reagim zyrtar.



