Ngrohtorja e qytetit “Termokos” dhe Ndërmarrja Publike Banesore kanë zyrtarizuar të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi që synon realizimin e përbashkët të intervenimeve dhe punimeve infrastrukturore në kryeqytet.
Memorandumi u nënshkrua nga Kryeshefi Ekzekutiv i Termokos-it, Fisnik Osmani dhe Artan Berisha, Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore.
Palët u dakorduan që çdo punë dhe aktivitet që lidhet me zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për qytetarët të realizohet në koordinim të plotë ndërmjet dy ndërmarrjeve.
“Ky bashkëpunim është tejet i rëndësishëm për të garantuar efikasitet dhe qëndrueshmëri në ofrimin e shërbimeve publike. Përfituesit kryesorë janë qytetarët e Prishtinës”, ka thënë kryeshefi i “Termokosit”
Përmes kësaj marrëveshjeje pritet që ndërhyrjet në rrjetin e ngrohjes dhe në infrastrukturën banesore të koordinohen më mirë, duke shmangur vonesat dhe dyfishimin e punimeve në të njëjtat zona.
Termokos ka theksuar se kjo iniciativë është në funksion të vizionit për një “Prishtinë të Gjelbër”, ku shërbimet publike ofrohen në harmoni me mjedisin dhe nevojat e komunitetit.