Në kuadër të projektit “Shpirtërim” i cili zbatohet nga “Tek Bunkeri” me mbështetjen e programit EU4Culture, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u realizua botimi i librit “Terrene – Tetë vështrime mbi Spaçin”.
Ky libër sjell tetë qasje të ndryshme mbi kampin e punës në Spaç, duke e trajtuar si një nyjë të domosdoshme për të kuptuar historinë, kujtesën dhe kulturën shqiptare.
Tetë autorët janë: Artan Puto, Nebi Bardhoshi, Anna Shkreli, Alen Bejko, Ledi Shamku-Shkreli, Sokol Çunga, Arba Baxhaku dhe Antonela Pepkolaj. Ata sjellin ese dhe rrëfime që ndihmojnë të kuptohet më thellë historia dhe dimensionet e Spaçit si vend kujtese dhe reflektimi.
Përmbledhja “Terrene – Tetë vështrime mbi Spaçin” paraqet një vizion ndërdisiplinor për Spaçin, si hapësirë represioni, kujtese dhe reflektimi, duke mos dhënë një “të vërtetë” të vetme; ai ndërton një mozaik reflektimesh dhe pyetjesh: si mund të ruhet autenticiteti i traumës pa e kthyer në spektakël? Si mund të mbrohet kujtesa e atyre që nuk janë dëgjuar?
Dy prej autoreve, Anna Shkreli dhe Ledi Shamku-Shkreli do të jenë në promovimin e këtij botimi të ri, në 22 shtator, në Muzeun Etnografik të Kavajës.