Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, “degradimi i zgjedhjeve në farsë elektorale më 11 maj ishte një nga aktet më të shëmtuara, më kriminale, më antikushtetuese”.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama përdori të gjithë fuqinë ekzekutive për të ndikuar në të gjitha mënyrat për denatyrimin, shkatërrimin, shndërrimin në farsë të procesit zgjedhor.
Berisha u shpreh se Edi Rama bleu vota me 450 leje për bandat e narkotrafikut në periudhën që këto ndaloheshin me ligj.
“Nga prilli 2024 deri në maj 2025 janë dhënë mbi 1 mijë leje ndërtimi. 450 prej tyre gjatë periudhës zgjedhore. Këtu nuk përfshihen mijëra e mijëra leje të dhëna për shtesa, rikonstruksione, etj, në mbarë Shqipërinë nga bashkitë e vendit”, u shpreh Berisha.
Berisha u ndal në disa raste, ku sipas tij, janë dhënë leje të tilla.
Sipas tij, në qoftë se bëhet analiza e 450 lejeve të firmosura nga Edi Rama, ato bëjnë tonelata droge dhe të paktën 10 milionë metër katrorë ndërtime dhe territore përreth.
“Ato bëjnë pra, de facto narkotizimin e plotë të ekonomisë shqiptare”, u shpreh Berisha.
Berisha reagoi edhe ndaj vendimeve të Kolegjit Zgjedhor në lidhje me ankimimet e PD-së për zgjedhjet e 11 majit, duke i cilësuar “dëshmi e një nënshtrimi total politik të atyre gjykatësve që vetëm ligjin nuk respektojnë”.
“Partia Demokratike do të ndërmarrë të gjitha beteja që shqiptarët të votojnë të lirë”, tha Berisha.