
Depresioni i madh ekonomik i kishte dhënë shtysë ngritjes në politikë të guvernatorit të Luizianës, Huey Long, i cili vetëquhej “The Kingfish”. “The Kingfish” kishte talent në të folur, por në vazhdimësi e shkelte ligjin. I pyetur nga një ligjvënës i krahut kundërshtar politik nëse kishte dëgjuar ndonjëherë për Kushtetutën, Long iu përgjigj: “Kushtetuta jam unë”.
Kur dëgjojmë deklarimet e ditëve të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj sistemit gjyqësor dhe prokurorial, e kuptojmë se ai jo vetëm nuk e respekton ndarjen apo pavarësinë e pushteteve, por e sheh këtë të fundit si armik. Për z. Kurti, prokuroria është kundërshtari i tij kryesor (sepse po heton jo pak afera korruptive gjatë mandatit të tij qeverisës dhe është ftuar edhe ai vetë për të dëshmuar), duke harruar se në një demokraci, siç konsiderohet të jetë edhe Kosova, ndarja e pushteteve është e garantuar me Kushtetutë. Secili pushtet mund të mbikëqyrë tjetrin, por jo t’i ndërhyjë në punët e tij. Por, ç’rëndësi ka Kushtetuta kur i vetëquajturi “Baba” u deklaron qytetarëve në mënyrë të hapur se “Kushtetuta është ai”?!
Kjo pakënaqësi e shprehur ndaj normave kushtetuese në njërën anë dhe deklarimi se populli është më i fuqishëm se ato, ka bërë dhe vazhdon të inkurajojë dhunën, qoftë verbale apo fizike. Gjatë viteve sa ishte jashtë sistemit kushtetues dhe politik, z. Kurti dhe VV-ja kanë ndërmarrë shumë aksione të dhunshme si ndaj personaliteteve dhe institucioneve publike, ashtu edhe ndaj proceseve politike që i konsideronin të dëmshme për vendin e qytetarët. Megjithatë, që nga ardhja në pushtet, po këto procese i ka pranuar njëra pas tjetrës. Madje, ndonjëherë, me pranimin e tyre, ka shkuar më larg se kundërshtarët e tij politikë, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Ohrit, ku pranon krijimin e një Asociacioni të komunave serbe edhe më të keq sesa ai që ishte pranuar nga paraardhësit e tij, apo siç ishte rasti me dhënien e tokës publike Manastirit të Deçanit.
Demagogët politikë ekzistojnë në të gjitha demokracitë dhe synimi i tyre më i madh është akordimi me telat e publikut, sepse, siç shkruante Aleksandër Hamilton, këta demagogë janë të aftë të luajnë me frikën dhe injorancën e njerëzve. Pikënisja e karrierës së tyre politike zakonisht bëhet duke u treguar mashtrues apo servilë ndaj njerëzve. Pra, diçka tjetër u thonë qytetarëve dhe diçka tjetër bëjnë sapo marrin pushtetin. Premtojnë ndryshim, por përballin me mashtrim. Këta demagogë, apo siç quhen ndryshe edhe populistë, janë kryesisht politikanë që i kundërvihen sistemit apo traditës që krijon ky sistem, duke pretenduar se përfaqësojnë zërin e “popullit”.
Këtë demagogji e bëjnë duke u thirrur në luftën kundër elitave, oligarkëve dhe të pasurve, duke i përshkruar ata si të korruptuar, konspirativë apo bashkëpunëtorë të armikut. Këtë po dëgjojmë këto ditë nga z. Kurti: zhdukja e elitave dhe kundërshtarëve politikë dhe rikthimi i pushtetit tek “populli”. Ai harron se në fakt ka qenë vetë ai dhe Vetëvendosja në pushtet prej pesë vitesh.
Kjo logjikë mashtruese, në një shoqëri të varfër dhe të paarsimuar (apo, siç i quante vetë i vetëquajturi “Baba”, analfabetë), arrin të gjejë mbështetje të madhe. Nuk ka rëndësi për këtë kategori njerëzish nëse çdo ditë lexojnë apo dëgjojnë për një aferë të re korruptive të këtij pushteti! Për ta nuk është e rëndësishme çfarë thuhet, por kush e thotë! Çdo gjë që thuhet nga kritikët e pushtetit shihet si gënjeshtër, montim dhe luftë kundër “Babës” dhe “arritjeve” të qeverisjes së tij. Kjo aleancë mes demagogëve dhe një shoqërie të keqarsimuar e të manipuluar ka pasoja afatgjata dhe shkatërrimtare për një vend. Paralajmërimet për këtë po vijnë tashmë nga ata që ishin me ne dhe na ndihmuan të çlirohemi, pavarësohemi dhe zhvillohemi – përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Po nga vjen e gjithë kjo “dalldisje” politike e këtij njeriu dhe kësaj force politike? Albin Kurtit dhe VV-së një shtysë të fortë drejt pushtetit ia ka dhënë jo pak klasa e “vjetër” e konsumuar politike. Flirtimi publik i tyre me Lëvizjen Vetëvendosje ndikoi ndjeshëm në rritjen e numrit të votave për VV-në. Kujtoni VLAN-in dikur që mori në mbrojtje VV-në dhe Albin Kurtin, pastaj edhe Vjosa Osmanin. Derisa Albini dhe drejtuesit e VV-së pritej të përballeshin me drejtësinë për aktet e tyre të dhunshme ndaj zyrtarëve dhe institucioneve publike (hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, vendosja e xhembave në veturën e ish-kryeministrit Isa Mustafa apo gjuajtja me zoll në Kuvend), ai u përfshi nga politika tradicionale, duke fituar simpatinë e publikut dhe duke hapur derën drejt pushtetit.
Historia e Musolinit dhe Hitlerit para ardhjes së tyre në pushtet në vitet ’30, apo më vonë historia e Hugo Chavezit në Venezuelë, tregon se sa fatale janë aleancat mes politikës tradicionale dhe atyre që vijnë nga rruga.
Prandaj, duhet të frikësohemi kur njerëzit pa përvojë politike marrin pushtetin ose iu dhurohet ai. Duhet të shqetësohemi kur një politikan flet si Albin Kurti. Ai po e dëshmon se është familjarizuar me ideologji të tilla dhe refuzon rregullat demokratike të lojës, mohon legjitimitetin e kundërshtarëve politikë, toleron ose inkurajon dhunën verbale dhe fizike ndaj kritikëve të tij dhe tregon vullnet për të kufizuar liritë civile, përfshirë median.
Si Chavez dikur, që në mandatin e parë respektoi rregullat demokratike, por më vonë u shndërrua në diktator, edhe Albini mund të ndjekë të njëjtin rrugëtim. Nëse ai dhe VV-ja fitojnë zgjedhjet, Kosova rrezikon izolimin ndërkombëtar dhe konfrontimin e brendshëm. Demokracia, e përzier me injorancën e popullit, mund ta çojë një vend drejt despotizmit. Kosova ka shpëtuar deri tani nga Vetëvendosja për shkak të joefikasitetit të tyre burokratik, por një shumicë absolute do t’i jepte atij mundësinë për të vendosur për gjithçka.
Ky shkrim paraqet qëndrimet ekskluzive të autorit.