KDI u ka bërë thirrje deputetëve që ta përfundojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës duke e zgjedhur nënkryetarin serb.
KDI thotë se kjo i hap rrugë krijimit të qeverisë.
Postimi i plotë:
***KOMUNIKATË PËR MEDIA
𝐊𝐃𝐈 𝐭𝐡𝐢𝐫𝐫𝐣𝐞 𝐝𝐞𝐩𝐮𝐭𝐞𝐭𝐞̈𝐯𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐚𝐫𝐭𝐢𝐯𝐞 𝐩𝐚𝐫𝐥𝐚𝐦𝐞𝐧𝐭𝐚𝐫𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫𝐟𝐮𝐧𝐝𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐤𝐨𝐧𝐬𝐭𝐢𝐭𝐮𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐊𝐮𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐭
Pas interpretimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit si hapi i fundit drejt konstituimit, #KDI u bën thirrje deputetëve dhe partive politike të përfaqësuara në Kuvend që të respektojnë këtë vendim dhe të ndërmarrin pa vonesë hapat e nevojshëm për zgjedhjen e anëtarit të mbetur të Kryesisë, duke u bazuar në normat kushtetuese dhe legjitimitetin qytetar.
Zgjedhja e anëtarit të pestë të kryesisë nga komuniteti serb e përmbyll konstituimin e Kuvendit dhe i hapë rrugë krijimit të Qeverisë, rrjedhimisht funksionalizimit të plotë të institucioneve të vendit.
Saktësisht 8 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, përmbyllja e konstituimit të Kuvendit nuk mund të shihet vetëm një çështje formale, por një hap i domosdoshëm për forcimin e proceseve demokratike dhe garantimin e funksionimit efektiv të institucioneve kushtetuese. Qytetarët e vendit, të cilët kanë dhënë verdiktin e tyre përmes votës, tanimë kanë humbur shumë dhe presin veprime politike zhbllokuese dhe racionale.
KDI rikujton se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe themel i shtetit të së drejtës, andaj të gjitha subjektet politike duhet të veprojnë në përputhje me këtë parim dhe të kontribuojnë në rikthimin e normalitetit institucional dhe funksionimin e demokracisë parlamentare.



