Shoqata e Qumështit reagon me shqetësim ndaj thirrjes për bojkotim të produkteve vendore
Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka reaguar ashpër pas një deklarate të publikuar nga sekretari organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Alim Rama, në të cilën bëhet thirrje për bojkot të produkteve të prodhuesve vendorë.
Në një reagim publik, SHIQK e cilëson deklaratën si të pabazë dhe të papranueshme, duke shprehur keqardhje për, siç thuhet, stigmatizimin e sektorit prodhues që ka kontribuar në mënyrë të qëndrueshme në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe sigurinë ushqimore në vend.
“Sot, më shumë se kurrë, nevojitet përkrahje institucionale dhe jo mesazhe përçarëse,” thuhet në reagimin e shoqatës, që përfaqëson sektorin e qumështit me mbi 20 mijë fermerë dhe një prodhim ditor prej mbi 300 mijë litrash.
SHIQK e konsideron thirrjen për bojkot si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë vendore dhe mirëqenies së mijëra familjeve që varen nga ky sektor. Shoqata gjithashtu shpreh zhgënjim për kushtet aktuale, që i përshkruan më të pafavorshme se ato të periudhës pasluftës.
Në fund të reagimit, SHIQK i bën thirrje drejtuesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE të distancohen nga deklarata e Alim Ramës dhe të ndërmarrin hapa konkretë për mbështetjen e sektorit vendor. “Qëndrime të tilla nxisin urrejtje dhe janë në kundërshtim me interesin kombëtar dhe ekonomik të Kosovës,” përfundon deklarata.



