Hungaria njofton se do të tërhiqet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, ndërsa Netanyahu viziton Budapestin
Hungaria ka vendosur që të tërhiqet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), njoftoi qeveria të enjten, pak pas mbërritjes së Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në këtë shtet për një vizitë shtetërore.
“Qeveria do të iniciojë procedurën e tërheqjes të enjten, në përputhje me kornizën kushtetuese dhe juridike ndërkombëtare,” tha Gergely Gulyás, shef i kabinetit të Kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
GJNP-ja është përballur me polemika të shtuar vitet e fundit, veçanërisht për shkak të urdhrave të arrestit të lëshuara ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe Netanyahu-t.
Kryeministri izraelit mbërriti të mërkurën në kryeqytetin hungarez, Budapest, pavarësisht një urdhri arresti nga GJNP për mënyrën se si ka udhëhequr luftën në Rripin e Gazës.
Gulyás kritikoi GJNP-në për, siç tha ai, devijimin nga qëllimi fillestar dhe shndërrimin në një “organ politik”, duke iu referuar urdhrit të arrestit ndaj Netanyahu-t.
Ai argumentoi se përderisa Hungaria kurrë nuk e ka integruar në legjislacionin e saj të brendshëm Statutin e Romës të vitit 1998 (që themelon GJNP-në), urdhrat e arrestit nga kjo gjykatë nuk mund të zbatohen në territorin hungarez.
Gulyás përmendi faktin se fuqitë e mëdha ushtarake të botës kurrë nuk kanë qenë anëtare të GJNP-së, dhe se SHBA ka vendosur sanksione ndaj këtij institucioni.
Ai po ashtu përmendi Poloninë, ku kryeministri Donald Tusk tha në janar se Netanyahu nuk do të arrestohej nëse do të merrte pjesë në një ngjarje përkujtimore në Auschwitz, pavarësisht urdhrit të GJNP-së ndaj tij.
Urdhri i lëshuar në nëntor nga GJNP-ja deklaronte se ka arsye të besohet se Netanyahu dhe ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, përdorën “urimin si metodë lufte” duke kufizuar ndihmat humanitare për Rripin e Gazës dhe qëllimisht shënjestruan civilë në fushatën e Izraelit kundër Hamasit — akuza që zyrtarët izraelitë i mohojnë.
Si reagim ndaj këtij urdhri, Orbán ftoi Netanyahu-n për vizitë shtetërore dhe akuzoi GJNP-në për “ndërhyrje në një konflikt të vazhdueshëm për qëllime politike,” duke thënë se kjo lëvizje minon të drejtën ndërkombëtare dhe rrit tensionet.
Shteti i parë që u largua nga GJNP-ja ishte Burundi, më 2017. Afrika e Jugut dhe Gambia kanë kërcënuar me tërheqje, por kanë tërhequr ose pezulluar vendimet e tyre. Të tri këto shtete pretendojnë se gjykata është e njëanshme ndaj vendeve afrikane.
Filipinet u larguan nga gjykata në vitin 2019, por ish-presidenti i saj, Rodrigo Duterte, është nën arrest dhe përballet me akuza për vrasje që lidhen me fushatën e tij famëkeqe “luftë kundër drogës”.