Prishtinë, 14 Mars 2025 – Një lajm i rëndë për mijëra familje dhe biznese në Kosovë: tarifat e energjisë elektrike pritet të rriten me rreth 15%! Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka publikuar raportet konsultative mbi hyrat maksimale të lejuara për KOSTT-in, KEDS-in dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), duke sinjalizuar një valë të re shtrenjtimi për konsumatorët.
Ky vendim vjen në një kohë kur qytetarët tashmë po përballen me kosto të larta të jetesës dhe kriza ekonomike globale. Me këtë rritje, shumë familje dhe biznese do të duhet të shtrëngojnë rripat për të përballuar faturat e energjisë elektrike. Sipas ZRrE-së, procesi i konsultimit publik është i hapur për të gjithë qytetarët, ndërmarrjet dhe palët e tjera të interesuara, të cilët mund të japin komentet dhe sugjerimet e tyre mbi këtë propozim.
ZRrE fton publikun që të reagojë dhe të dorëzojë komentet e tyre deri më 28 Mars 2025, përpara se të merret vendimi përfundimtar mbi tarifat.
Ky shtrenjtim mund të ketë ndikime serioze në buxhetet familjare dhe sektorin e biznesit. A do të ndikohet stabiliteti ekonomik i Kosovës nga kjo rritje? A do të merren masa për të zbutur ndikimin te konsumatorët? Debati është hapur, dhe qytetarët kanë mundësinë të shprehin shqetësimet e tyre përpara vendimit final!



