Presidenti amerikan ka kërcënuar Rusinë me pasoja të rënda nëse presidenti i saj Putin, nuk do të pranoj një armëpushim, ndryshe ka thënë se nëse bisedimet me Putinin shkojnë “mirë”, atëherë ai do të donte të zhvillonte një takim tjetër duke e përfshirë edhe Zelenskyn.
“Do të doja ta bëja menjëherë. Do të kemi një takim të dytë të shpejtë midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelenskyy dhe meje nëse ata dëshirojnë të më kenë atje”, tha Trump
Udhëheqësit evropianë ishin të qartë sot se nëse Putini nuk pranon një armëpushim, atëherë ata do të vendosin sanksione të reja dhe masa të tjera ndëshkuese ekonomike ndaj Rusisë.
Një nga shqetësimet kryesore të Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësve evropianë është se SHBA-të do të imponojnë një marrëveshje me Rusinë për Ukrainën.
Por zëvendëspresidenti amerikan u tha udhëheqësve në telefonatën e sotme se kjo nuk do të ndodhte, thanë dy zyrtarë të qeverisë gjermane për NBC News.
Ata thanë se JD Vance i siguroi Zelenskyy-t dhe aleatët evropianë se SHBA-të nuk do të negocionin me Rusinë për një zgjidhje të luftës pa Ukrainën ose Evropën në tryezë, e cila është një nga kërkesat kryesore të aleatëve.
Zyrtarët thanë se Trump dhe ekipi i tij treguan shumë interes për atë që Ukraina dhe aleatët evropianë i konsiderojnë pikat thelbësore në negociata.
Ndërkohë, Gjermania ka njoftuar se do të bashkëpunojë me një grup aleatësh perëndimorë të Ukrainës për të furnizuar një paketë ndihme ushtarake me vlerë deri në 500 milionë dollarë duke përdorur një linjë të re furnizimi të NATO-s.
Ministritë e jashtme dhe të mbrojtjes të Gjermanisë thanë se mbështetja është e përqendruar në pajisje të tilla si “aftësitë kritike të mbrojtjes ajrore”.
Këto janë të nevojshme urgjentisht për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore të vazhdueshme të Rusisë, të cilat po vrasin gjithnjë e më shumë civilë në të gjithë Ukrainën”.
Më herët këtë muaj, NATO filloi koordinimin e dërgesave të rregullta të pakove të mëdha me armë në Ukrainë, pasi Holanda tha se do të siguronte pajisje të mbrojtjes ajrore, municione dhe ndihmë tjetër ushtarake me vlerë 500 milionë euro.
Suedia njoftoi të nesërmen se do të kontribuonte me 275 milionë dollarë në një përpjekje të përbashkët së bashku me fqinjët e saj nordikë, Danimarkën dhe Norvegjinë, për të siguruar mbrojtje ajrore, armë antitank, municione dhe pjesë këmbimi me vlerë 500 milionë dollarë.
Gjermania nuk e përmendi grupin e vendeve me të cilat do të bashkëpunonte.