Presidenti amerikan Donald Trump, ka thënë se është “shumë i zemëruar” dhe “i inatosur” me presidentin rus Vladimir Putin pas disa javësh përpjekjesh për të negociuar një armëpushim në Ukrainë.
Në një intervistë për NBC News, presidenti i SHBA tha se ishte i zemëruar me Putinin për sulmin ndaj besueshmërisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kërcënoi se do të vendoste një tarifë prej 50% për vendet që blejnë naftë ruse nëse ai nuk binte dakord për një armëpushim.
“Nëse Rusia dhe unë nuk jemi në gjendje të bëjmë një marrëveshje për ndalimin e gjakderdhjes në Ukrainë, dhe nëse mendoj se ishte faji i Rusisë – gjë që mund të mos jetë… Unë do të vendos tarifa dytësore për të gjithë naftën që del nga Rusia”, tha ai.
Komentet shënojnë një ndryshim në tonin e Trump ndaj Putinit dhe Rusisë.
Udhëheqësit evropianë ishin të shqetësuar se Trump ishte i qetë me Putinin, ndërsa negociatat për një armëpushim në Ukrainë vazhdonin.
Është hera e parë që SHBA-ja ka kërcënuar seriozisht Rusinë me pasoja për zvarritjen e saj në negociatat e armëpushimit, të cilat duket se e kthejnë topin diplomatik në fushën e Moskës.
Trump tha se rusët e dinin për zemërimin e tij, por vuri në dukje se ai kishte “një marrëdhënie shumë të mirë” me Putinin dhe “zemërimi zhduket shpejt… nëse ai bën gjënë e duhur”.
Nëse Rusia nuk zbaton një armëpushim, Trump kërcënoi se do të synonte më tej ekonominë e saj nëse mendonte se ishte faji i Putinit.



