Të dhënat e reja zbulojnë lidhje më të ngushta të Robinson me faqet pornografike dhe ato të takimeve
Storm/SHBA: Donald Trump, i cili e ka mbështetur publikisht Mark Robinsonin për Guvernator, ka qëndruar i heshtur për problemet që po përballon nënkryetari i guvernatorit të Karolinës së Veriut.
Liderët kryesorë republikanë në Karolinën e Veriut kanë kërkuar që Robinson të ofrojë prova që ai nuk qëndron pas postimeve komprometuese në një faqe pornografike. Megjithatë, informacione të reja vazhdojnë të tregojnë për përfshirjen e tij në aktivitete online seksuale, të cilat ai vazhdon t’i mohoj.
Sipas të dhënave të shqyrtuara nga mediat amerikane, personi që përdorte llogarinë “Nude Africa“, që thuhet se i përkiste Robinsonit, ka aksesuar faqen pornografike nga një vendndodhje pranë shtëpisë së tij. Adresa e emailit të Robinsonit është gjithashtu e regjistruar në disa faqe takimesh, të cilat nuk ishin raportuar më parë, sipas po këtyre mediave.
Robinson ka mohuar raportet që e lidhin me përmbajtje P’grafike dhe të dhëna nga e kaluara, duke përfshirë edhe një raport të CNN ku ai përshkruhet si “NAZI i zi” dhe pretendimet për shikimin e pornografisë transgjinore. Ai gjithashtu mohon akuzat e mediave që ai kishte një llogari në faqen Ashley Madison, që është e njohur për personat e martuar që kërkojnë aventura.
Sipas një rishikimi të ri nga mediat amerikane, të dhënat e llogarive të lidhura me emailin e Robinson tregojnë që adresa IP-ve e lidhur me llogarinë e tij “Nude Africa” ndodhet në rajonin Piedmont Triad, afër vendbanimit të tij. Të dhëna të ngjashme tregojnë që adresa e tij e emailit është regjistruar në disa faqe të tjera takimesh si “Adult Friend Finder” dhe “Mate 1“, por nuk ka prova që ai ka qenë aktiv së fundmi në këto faqe.
Robinson vazhdon të mohojë postimet, duke u shprehur për CNN se ato nuk ishin të tijat, pavarësisht provave që e lidhin me këto llogari.
Një zëdhënës i fushatës së Robinsonit nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me këto akuza. Ndërkohë, disa nga këshilltarët kryesorë të fushatës së tij kanë dhënë dorëheqje, duke e lënë pa ekipin e tij më të afërt në një moment të rëndësishëm për karrierën e tij politike.
Gjithashtu, Robinson është përballur me kërkesa nga figura të njohura republikane, si senatorët Thom Tillis dhe Ted Budd, për të ofruar prova të mashtrimit mediatik, në vend që të vazhdojë të mohojë akuzat pa veprime konkrete.
Edhe pse ai nuk ka ngritur padi për këto akuza, Robinson ka përmendur mundësinë e marrjes së masave ligjore kundër CNN për raportet e tyre.