Presidenti i sapozgjedhur Donald J. Trump pritet të emërojë senatorin Marco Rubio nga Florida në postin e Sekretarit të Shtetit, thanë për New York Times, burime brenda ekipit të presidentit të ardhshëm.
Rubio u zgjodh në Senat në vitin 2010 dhe ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj Kinës, Iranit, Venezuelës dhe Kubës në veçanti.
Pavarësisht se ka folur me terma të ashpra për Rusinë në të kaluarën, Marco Rubio ka të ngjarë të shkojë së bashku me planet e pritshme të zotit Trump për t’i bërë presion Ukrainës që të gjejë një mënyrë për të arritur një zgjidhje me Rusinë dhe për të mbetur jashtë NATO-s.
Është e paqartë nëse liderët e Ukrainës apo Rusisë do të ishin të përgatitur për të hyrë në bisedime me nxitjen e Trump-it.
Rubio ka qenë ndër senatorët më insistues që Shtetet e Bashkuara të jenë më agresive ndaj Kinës. Ai ka adoptuar qëndrime që më vonë u bënë më të zakonshme në të dyja partitë. Ndërsa shërbente në Kongres gjatë administratës së parë të Trump, ai filloi të mbrojë politikën industriale që synonte të ndihmonte Shtetet e Bashkuara të konkurronin më mirë me ekonominë e drejtuar nga shteti i Kinës.
Senatori Rubio shërbeu gjithashtu si bashkë-kryetar i Komisionit dypartiak Kongres-Ekzekutiv për Kinën, i cili ka synuar të hartojë një politikë agresive ndaj Kinës, veçanërisht në përpjekjen për të adresuar abuzimet e të drejtave të njeriut atje.
Në vitin 2020, ai sponsorizoi një projekt-ligj që përpiqej të parandalonte importin e mallrave kineze të bëra me përdorimin e punës së detyruar nga pakica etnike ujgure e Kinës.
Në vitin 2019, Rubio arriti të bindte Trump të miratonte një politikë të ashpër sanksionesh kundër Venezuelës në përpjekje për të rrëzuar presidentin e saj autoritar majtist, Nicolás Maduro.
Megjithëse venezuelianët kanë vuajtur nga sanksionet e vendosura nga SHBA, Maduro mbetet në pushtet.
Kohët e fundit, Rubio ka shprehur mbështetjen e palidhur amerikane për luftën e Izraelit në Gaza.
Kur u pyet nga një aktivist paqeje në fund të vitit të kaluar se çfarë mendonte për shumë vdekje të civilëve palestinezë, ai tha: “Unë mendoj se Hamasi është 100 për qind fajtor”.