E PËRDITËSUAR / Nis takimi mes Trumpit dhe liderëve evropianë
Një takim shumëpalësh sapo ka filluar mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe liderëve evropianë, në Shtëpinë e Bardhë.
Çfarë pritet të ndodhë më tej sonte
E hëna ka qenë një ditë e mbushur me takime, dhe nuk ka përfunduar ende.
Trump pritet të takohet me liderët evropianë që po presin në sallën e darkës shtetërore të Shtëpisë së Bardhë, duke filluar në orën 20:15 me kohën lokale në Kosovë, megjithatë ky takim do të jetë i mbyllur për media.
Liderët evropianë do të mblidhen pastaj me Trumpin për një fotografi rreth orës 20:30.
Pas kësaj, do të ketë një takim shumëpalësh midis Trumpit dhe homologëve të tij evropianë, rreth orës 21:00.
Dhe, në fund, Zelensky do të mbajë konferencë për shtyp, e cila pritet të nisë në orën 22:00.
Trump s’e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë
Presidenti amerikan, Donald Trump, takon homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë për të folur për përfundimin e luftës ruse në Ukrainë.
Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë.
Trump tha se Evropa do të jetë ajo që udhëheq përpjekjet për sigurimin e paqes, por se SHBA do të jetë e përfshirë.
“Ata janë vija e parë e mbrojtjes, sepse janë aty, Evropa. Por, ne do t’i ndihmojmë. Gjithashtu, do të jemi të përfshirë”, tha ai.
Trump tha se nëse arrihet marrëveshje për paqe, ajo do të jetë e qëndrueshme.
“Unë mendoj se nëse arrijmë paqen, ajo do të funksionojë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha ai.
- Në mesin e liderëve evropianë që do t’i bashkohen takimit në Uashington janë Keir Starmer i Britanisë, Friedrich Merz i Gjermanisë dhe Emmanuel Macron i Francës.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i takoi liderët kryesorë evropianë, për t’i bashkërenduar qëndrimet para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, në Uashington. Ai tha se mbështet synimet e Trumpit për “zgjidhje diplomatike”.
- Sipas të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, Putini është pajtuar t’i lejojë SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë garanci të sigurisë për Ukrainën.
- Në prag të takimit, Zelensky tha se sulmet ruse vranë 10 njerëz në qytetet ukrainase.
Trump thotë se Putini e “pret telefonatën time” pas takimeve
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se sapo ka folur me homologun e tij rus, Vladimir Putini, në mënyrë indirekte, duke shtuar se do ta ketë një bisedë telefonike me të më vonë.
“Sapo kam folur me presidentin Putin në mënyrë indirekte, dhe do të kemi një bisedë telefonike menjëherë pas këtyre takimeve sot, dhe mund të kemi ose jo një takim trepalësh”, tha Trump.
Trump shtoi se Putini “po pret thirrjen time kur të përfundojmë këtë takim”. /REL