Presidenti amerikan Donald Trump tha se besonte që Izraeli dhe Hamasi janë “shumë afër një marrëveshjeje” mbi një armëpushim të përkohshëm.
Udhëheqësi amerikan tha se Hamasi është në një “rrëmujë të madhe” dhe ai mendon se ata “duan të dalin prej saj”, kur u pyet nga gazetarët në Uashington DC mbrëmë.
I pyetur nëse ishte i bindur se Hamasi do ta miratonte marrëveshjen e armëpushimit të propozuar nga i dërguari i tij Steve Witkoff, Trump tha: “Ata janë shumë afër një marrëveshjeje për Gazën dhe ne do t’ju njoftojmë për këtë gjatë ditës ose ndoshta nesër. Ata [Hamasi] janë në një rrëmujë të madhe. Mendoj se duan të dalin prej saj”.
Mediat kanë raportuar se Izraeli ka bllokuar zhvillimin e një takimi në kryeqytetin administrativ palestinez, në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ministrat arabë kishin planifikuar të merrnin pjesë në takimin në Ramallah për të diskutuar krijimin e një shteti palestinez, njoftoi një zyrtar izraelit.
Delegacioni përfshinte ministra nga Jordania, Egjipti, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Që takimi të mbahej përpara, ministrat kërkuan që Izraeli të jepte pëlqimin për të udhëtuar drejt Bregut Perëndimor nga Jordania. Por ata janë ndaluar ta bëjnë këtë.
Një zyrtar izraelit e quajti takimin e propozuar “provokues”, duke shtuar se krijimi i një shteti palestinez “padyshim do të bëhej një shtet terrorist në zemër të tokës së Izraelit”.
“Izraeli nuk do të bashkëpunojë me lëvizje të tilla që synojnë të dëmtojnë atë dhe sigurinë e tij”.
Kjo vjen në një kohë kur një konferencë ndërkombëtare, e bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, do të mbahet në Nju Jork nga 17 deri më 20 qershor për të diskutuar çështjen e shtetësisë palestineze.
Izraeli është vënë nën presion në rritje nga Kombet e Bashkuara dhe vendet evropiane, të cilat favorizojnë një zgjidhje me dy shtete, sipas së cilës një shtet i pavarur palestinez do të ekzistonte përkrah Izraelit.
Një zyrtar i Autoritetit Palestinez tha se çështja nëse takimi në Ramallah do të mund të mbahej ishte në diskutim.



