Përmes një mesazhi të ashpër në Truth Social, Donald Trump ka sulmuar “të majtën radikale”, duke i akuzuar se po tentojnë të krijojnë kaos të brendshëm për të mbuluar sukseset e ushtrisë amerikane në Operacionin “Furia Epike”.
Donald Trump nuk po kursen askënd. Në një postim të fundit që ka bërë xhiron e botës, Presidenti i SHBA-së i ka quajtur Demokratët si “njerëz që urrejnë vendin e tyre”. Sipas Trump, kundërshtarët e tij politikë po përpiqen me çdo kusht të krijojnë trazira brenda Amerikës, vetëm e vetëm që publiku të mos shohë atë që ai e quan “arritje të madhe ushtarake” në Iran.
Ky reagim vjen në një kohë kur debati për luftën në Iran është në kulmin e tij. Trump insiston se ushtria amerikane po fiton “plotësisht dhe në mënyrë vendimtare”, duke lënë të kuptohet se operacionet ajrore dhe përgatitjet për zbarkime tokësore po japin rezultatet e pritura. Për Presidentin, çdo kritikë ndaj luftës është një sulm ndaj suksesit të Amerikës dhe një përpjekje për të dobësuar moralin kombëtar.
“Ata urrejnë të na shohin duke FITUAR,” shkroi Trump, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e asaj që ai e quan propagandë të “të majtës radikale”. Ky mesazh shihet si një lëvizje për të forcuar mbështetjen e bazës së tij MAGA, e cila, sipas sondazheve të fundit, vazhdon të mbështesë sulmet në Iran me mbi 80%.
Situata në Uashington po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, teksa lufta në Lindjen e Mesme po përdoret si kartë kryesore për betejën politike të brendshme. Trump po e pozicionon veten si liderin që po rikthen lavdinë ushtarake të Amerikës, ndërsa i portretizon kundërshtarët si sabotatorë që duan dështimin e vendit për përfitime politike.



