WASHINGTON — Presidenti Donald Trump ka ashpërsuar kritikat ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar Kyiv-in se po godet rafineritë ruse të naftës edhe pse, sipas tij, këto sulme po shkaktojnë pasoja serioze për furnizimin dhe çmimet e dizelit në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Në një postim të gjatë në Truth Social, Trump tha se është duke negociuar përfundimin e luftës Rusi–Ukrainë dhe se nuk dëshiron të ndërmarrë masa që, sipas tij, do ta largonin Moskën nga tryeza e negociatave.
Ai më pas e drejtoi kritikën te Zelensky.Trump deklaroi se Ukraina po përdor rafinineritë ruse të dizelit si objektiva, duke e ditur se këto goditje po ndikojnë negativisht në tregun global të karburanteve.
Presidenti amerikan argumentoi gjithashtu se fermerët, bizneset dhe konsumatorët amerikanë po përballen me pasoja nga çmimet e larta të karburanteve.
Vetëm disa ditë më parë, Trump e kishte quajtur “turp” rifillimin e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse, duke thënë se goditja e kapaciteteve që prodhojnë dizel e shtyn lart çmimin ndërkombëtar të energjisë.
Trump mbron edhe marrëveshjen me Rusinë
Deklarata vjen pasi administrata Trump arriti marrëveshje me Moskën për furnizimin e SHBA-së dhe tregjeve ndërkombëtare me dizel rus.
Sipas marrëveshjes së njoftuar më 9 tetor, Rusia pritet të furnizojë fillimisht mbi 300 mijë tonë metrikë dizel, ndërsa Washingtoni ka zbutur gjithashtu një pjesë të presionit të sanksioneve ndaj Moskës.
Trump e mbrojti këtë politikë duke thënë se dëshiron ta mbajë Rusinë në negociata dhe se Moska aktualisht po bën shumë më pak për ta ndihmuar Iranin sesa do të kishte mundësi të bënte.
Ai shtoi se Rusia po dërgon sasi të mëdha dizeli në treg me çmime të ulëta dhe argumentoi se kjo ndihmon në frenimin e krizës së furnizimit.
Zelensky: Rusia po godet energjinë tonë
Kyiv-i e kundërshton këtë logjikë.
Zelensky ka thënë se Ukraina rifilloi goditjet ndaj rafinerive ruse pasi Rusia vazhdoi sulmet ndaj sistemit energjetik ukrainas edhe pas armëpushimit energjetik të shpallur nga Trump më 11 tetor. Reuters raportoi se Ukraina goditi sërish një rafineri ruse pasi Zelensky deklaroi se Kyiv-i nuk do ta respektonte më njëanshëm marrëveshjen ndërsa Moska vazhdonte goditjet ndaj energjisë ukrainase.
Kjo është bërë tashmë një nga pikat kryesore të konfliktit mes Trumpit dhe Zelenskyt: Washingtoni kërkon që Ukraina të mos godasë rafineritë ruse, ndërsa Kyiv-i thotë se nuk mund të ndalet përderisa Rusia godet termocentralet dhe rrjetin e saj energjetik.
Tensionet janë rritur më tej pasi Trump vendosi të shtyjë zbatimin e një pakete të re sanksionesh ndaj Moskës, duke argumentuar se presioni shtesë mund ta largojë Rusinë nga negociatat.



