Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja pas dështimit të dytë të LVV-së së Albin Kurtit për të krijuar qeverinë e re.
Hasani ka komentuar një deklaratë të presidentes, Vjosa Osmani, e cila në një konferencë për media të enjten, ka treguar se pas dështimit të votimit të Konjufcës dhe para se të nënshkruaj shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe të caktojë datën e zgjedhjeve, kishte provuar që t’i bind edhe një herë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ktheheshin për të votuar buxhetin.
Profesori Hasani ka thënë se një deklaratë e tillë do t’i falej nëse do ta bënte zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje por jo një presidenteje e cila është edhe me profesion juriste.
Ish-kreu i Kushtetueses ka thënë se është ndjerë i turpëruar kur ka dëgjuar një deklaratë të tillë nga dikush që është jurist.
“Po e shihja, Vjosa thoshte, i luta edhe një herë, masi me automatizëm shpërndahet [Kuvendi], ajo tha i luta edhe një herë me u kthy në Kuvend me e votu buxhetin, ajo mund t’i falet zëdhënësit të VV-së, por jo presidentes së Republikës. Për fat të keq, atë dhe disa kolegë të tjerë kur po i shoh, po turpërohem, që me kaq paskrupullsi e shkelin etikën bazike profesionale”, ka thënë Hasani në një intervistë në ATV.



