by: Jamelle Bouie
Shembulli klasik i “chutzpah” është ai i fëmijës që vret prindërit e tij dhe pastaj lutet për mëshirë si një jetim. Me zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, kemi një mënyrë të re për ta ilustruar këtë pikë: kandidati që miraton dhunën, çnjerëzon kundërshtarët e tij dhe nxit përkrahësit në një gjendje të tërbimit, pastaj kthehet për të dënuar retorikën e ashpër të kundërshtarëve dhe për të bërë thirrje për një diskurs paqësor.
Pas tentativës së dytë për vrasjen e tij brenda dy muajve, Trump fajësoi demokratët për përshkrimin e tij si një kërcënim ekzistencial për demokracinë amerikane. “Shiko,” tha bashkëgaruesi i tij, JD Vance, të hënën, “ne mund të mos biem dakord me njëri-tjetrin, mund të debatojmë, por nuk mund t’i themi popullit amerikan se një kandidat është fashist dhe se, nëse zgjidhet, do të jetë fundi i demokracisë amerikane.” (Duhet theksuar se Vance ka thënë, në mënyrë të përsëritur, se do ta ndihmonte ish-presidentin në përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.)
Vetë Trump ishte më i drejtpërdrejtë. “Retorika e tyre po bën që të më qëllojnë mua, kur unë jam ai që do të shpëtojë vendin,” tha Trump në një intervistë për Fox News.
Problemi i dukshëm këtu është se Trump është i njohur, që nga fushata e tij e parë për president, për miratimin, inkurajimin dhe madje nxitjen e dhunës mes përkrahësve të tij.
Kur iu tha, në vitin 2015, se dy vëllezër nga Bostoni e përmendën atë gjatë një sulmi ndaj një burri hispanik të pastrehë, Trump tha se njerëzit që e ndiqnin atë ishin “të pasionuar.”
“Ata e duan këtë vend. Duan që ky vend të bëhet i madh sërish. Por janë shumë të pasionuar. Këtë do ta them,” tha ai.
Kur u përball me një protestues në një tubim në Alabama, ai bërtiti që pjesëmarrësit ta largonin. “Nxirreni jashtë nga këtu!” tha Trump, ndërsa njerëzit në turmë dukeshin se e godisnin dhe shqelmonin protestuesin. “Nxirreni jashtë! Flakeni jashtë!” “Ndoshta duhej që të kishte pësuar diçka më shumë,” tha Trump të nesërmen, “sepse ishte absolutisht e neveritshme ajo që ai po bënte.”
Si president, Trump i nxiti policët që të ishin të dhunshëm kur përballeshin me të dyshuarit (“Kur shihni këta kriminelë që hidhen në pjesën e pasme të një furgoni të policisë, ju thjesht shihni se si hidhen brenda, ashpër, dhe unë thashë, ju lutem, mos u sillni shumë mirë”), përgëzoi përfaqësuesin Greg Gianforte, republikan nga Montana, për sulmin ndaj një gazetari, dhe gjithashtu kërcënoi se do të qëllonte “kriminelët” gjatë protestave për George Floyd në vitin 2020. “Kur fillon plaçkitja, fillon edhe të shtënat,” shkroi ai në Twitter.
Trump përdori mediat sociale dhe platformën e presidencës për të përmbytur jetën amerikane me një rrjedhë të vazhdueshme retorike çnjerëzuese kundër emigrantëve dhe myslimanëve. Ai sulmoi katër kongresmenet e njohura si “Skuadra” duke u thënë që të “ktheheshin në vendet e tyre të mbushura me krim, prej nga kishin ardhur.”
Ndoshta ishte rastësi që, në vitin 2016, krimet e urrejtjes u rritën me 226 për qind në qarqet që pritën tubime të fushatës së Trump. Ndoshta ishte rastësi që krimet e urrejtjes arritën një nivel më të lartë në 16 vite gjatë kohës së Trump në detyrë, me një rritje të ndjeshme të dhunës ndaj latino-amerikanëve. Ndoshta ishte rastësi që vrasësi në Sinagogën Tree of Life, i cili vrau 11 besimtarë hebrenj në incidentin më të rëndë të dhunës antisemite në historinë amerikane, fliste për të njëjtën “karvan” emigrantësh që Trump e reklamonte si kërcënim për kombin në prag të zgjedhjeve afatmesme të vitit 2018. Dhe ndoshta ishte rastësi që i riu që udhëtoi 10 orë për të sulmuar meksikanët në El Paso, duke vrarë 23 persona, gjithashtu pasqyroi paralajmërimet e vazhdueshme të presidentit për një “pushtim” të emigrantëve nga Amerika Latine.
Kur u përball me dhunën e orkestruar kundër kundërshtarëve të tij politikë, si sulmi ndaj Paul Pelosi që kishte si qëllim Nancy Pelosi-n, Trump qeshi dhe bëri shaka.
Dhe pastaj kemi finalen e madhe të nxitjeve të ish-presidentit për dhunë gjatë mandatit të tij, sulmin e 6 janarit në Kapitol, kur Trump i tha një turme të zemëruar përkrahësish se ata duhej të “luftonin si të çmendur” për ta mbajtur atë në Shtëpinë e Bardhë sepse, nëse nuk e bënin, ata “nuk do të kishin më një vend.”
Në tre vitet që nga ajo kohë, një Trump i guximshëm — i lirë nga çdo llogaridhënie serioze falë frikës së Partisë Republikane dhe nënshtrimit të anëtarëve konservatorë të Gjykatës së Lartë — ka vetëm dyfishuar përdorimin e tij të retorikës çnjerëzuese.
Kundërshtarët e tij politikë, thotë Trump, janë “parazitë”. Dhe emigrantët e paligjshëm të akuzuar për krime, ai thotë, janë nënnjerëzorë: “Demokratët thonë, ‘Ju lutem mos i quani ata kafshë. Ata janë njerëz.’ Unë thashë, ‘Jo, ata nuk janë njerëz, ata nuk janë njerëz, ata janë kafshë.’” Dhe siç kemi parë javët e fundit, ai nuk heziton të përhapë gënjeshtra për njerëzit të cilët i vetmi mëkat që kanë bërë është të vijnë në këtë vend në kërkim të një jete më të mirë.
Për pothuajse një dekadë, Trump ka nxitur një atmosferë të dhunës politike. Shumë nga tërheqja e tij qëndron në premtimin se ai do të dominojë armiqtë e tij — të cilët, përmes tij, bëhen armiqtë e popullit — dhe do t’i largojë ata nga politika.
Dhuna politike ka qenë gjithmonë pjesë e jetës publike amerikane. Por për aq sa është sot një problem akut, është e pamundur ta ndash nga ndikimi i tmerrshëm i Donald Trump.
Të hënën, Trump fajësoi demokratët për dhunën politike. “Për shkak të kësaj retorike të majtë komuniste, plumbat po fluturojnë, dhe do të bëhet vetëm më keq,” shkroi ai.
Por ekziston vetëm një njeri që e ka vendosur dhunën në qendër të lëvizjes së tij. Vetëm një njeri që kandidon për president me premtimin e “hakmarrjes”. Vetëm një njeri që ka premtuar se nëse zgjidhet përsëri, ai do të përdorë shtetin kundër një vargu të gjerë grupesh të papëlqyera.
Sigurisht, Trump nuk është përgjegjës për përpjekjet për vrasjen e tij, por nëse politika amerikane është më e dhunshme sesa ka qenë, është e vështirë të mos vëresh se ai ka përgatitur terrenin që ndihmoi në krijimin e kësaj atmosfere.
by: NYT, perkth.Storm-rks