Izraeli përmes sulmeve ajrore ka vrarë të paktën 40 persona gjatë natës, kanë njoftuar burime spitalore.
Të paktën nëntë vende të ndara u goditën në jug, me raportime për të paktën 36 trupa të dërguar në spitalet atje.
Më në veri, Izraeli urdhëroi njerëzit të largoheshin nga pjesë të qytetit të Gazës, duke paralajmëruar se forcat e tij do të sulmonin “me forcë intensive”.
Sulmet ajrore vijnë ndërsa bllokada izraelite ndaj ndihmës që hyn në Gaza vazhdon – pra janë 10 javë që aty nuk po lejohen të hyjnë ndihma.
Ndërsa Izraeli kryen sulme në Gazën jugore, më në veri ka lëshuar një nga urdhrat më të gjerë për evakuim për civilët të parë deri më tani në këtë luftë.
Pjesë të mëdha të Qytetit të Gazës, një zonë tashmë e shkatërruar pjesërisht nga bombardimet, janë shpallur të pasigurta, ndërsa banorëve që kanë gjetur strehim atje u është thënë të largohen për sigurinë e tyre përpara “sulmeve intensive” nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
Ndër ndërtesat e nxjerra në pah nga Izraeli janë Universiteti Islamik, Spitali Al-Shifa dhe tri ish-shkolla.
Ndërsa Izraeli pretendon se ndërtesat po përdoren nga Hamasi si “qendra komande dhe kontrolli”, autoritetet lokale dhe agjencitë e ndihmës thonë të kundërtën, pra atje po strehohen mijëra civilë.
Evakuimi i këtyre zonave do të kërkonte kohë, thonë ata, dhe mund të ketë një numër të madh viktimash.
Ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert, ka qenë një nga të paktët zyrtarë të lartë izraelitë deri më tani që ka folur hapur kundër zgjerimit të fushatës ushtarake në Gaza.



