Buna Mustafa, vajza e Salih Mustafës, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për kompensim të dëmeve për “viktimat”.
Mustafa në “Facebook” ka postuar qëndrimin e babait të saj në Hagë, duke thënë se nuk ka përgjegjësi morale e financiare ndaj viktimave sepse thotë se ata nuk janë viktimat e tij.
Ai ka thënë se UÇK-ja ishte e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme.
“Reagim nga Haga: Sapo biseduam me babain në lidhje me lajmet që kanë qarkulluar për çështjen e viktimave, ku ai na sqaroi qëndrimin e tij. Duke pasur parasysh që vendimi i gjykatës është i padrejtë dhe me motive politike, Cali tha: “Unë nuk ndihem përgjegjës moralisht, financiarisht apo në çfarëdo lloj forme tjetër, për shkak se ata nuk janë viktimat e mia. Rrjedhimisht, as nuk kërkoj ndihmë nga shteti dhe populli im që t’i paguaj viktimat e fabrikuara nga prokuroria dhe nga qarqe të caktuara politike që përgënjeshtrojnë mbi të vërtetën për interesa të ulëta personale. Unë besoj që lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”, ka shkruar Buna Mustafa në “Facebook”, duke iu referuar Salih Mustafës.