Komisioni Evropian njoftoi të enjten se Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia, i janë bashkuar zyrtarisht ekosistemit të transaksioneve financiare të Evropës, SEPA-s, pasi 40 banka në të katër vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE u pranuan në skemë.
Duke iu bashkuar SEPA-s – shkurtesë për Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro – katër vendet dhe BE-ja do të kenë qasje në transaksione financiare më të shpejta dhe më të lira, duke kursyer potencialisht deri në 500 milionë euro për individët dhe bizneset, tha ekzekutivi i BE-së.
Këshilli Evropian i Pagesave e mori këtë vendim pasi kuarteti hyri në fushëveprimin gjeografik të SEPA-s midis nëntorit 2024 dhe marsit të këtij viti, tha Komisioni në një deklaratë.
Në fjalimin e saj në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë të hënën, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA si një shembull konkret të integrimit financiar me BE-në.
“Që nga java e kaluar, kompanitë në Shqipëri mund të dërgojnë para në BE dhe të marrin para me kosto shumë të ulëta”, tha von der Leyen.
“Ambasadorja më tha se më 6 tetor, një transferim nga Brukseli në Tiranë zgjati 3-4 ditë dhe kushtoi 80 euro. Më 8 tetor, pas anëtarësimit në SEPA, transferimi u përfundua brenda disa minutash dhe pa asnjë kosto”, theksoi ajo.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se pranimi i katër vendeve në SEPA ishte kulmi i “rezultateve të prekshme” të përpjekjeve të vazhdueshme për të integruar vendet kandidate.
“Puna jonë nuk ndalet këtu. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për funksionalizimin e plotë të skemave SEPA për vendet tona kandidate, duke i sjellë qytetarët dhe bizneset e tyre edhe më afër BE-së”, shtoi Kos.
Në Moldavi, presidentja Maia Sandu dhe guvernatorja e Bankës Kombëtare, Anca Dragu e vlerësuan vendimin në Bruksel, duke e quajtur atë një “moment historik” për integrimin evropian.
“Ky vendim do të thotë që transfertat për në dhe nga vendet e BE-së do të jenë më të lira dhe më të shpejta”, tha Sandu të enjten, duke lavdëruar përpjekjet e qeverisë dhe bankës kombëtare për ta çuar procesin në një rezultat të favorshëm.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, përshëndeti aderimin e vendit të tij në SEPA, përfshirjen e 14 fluturimeve të reja që lidhin Malin e Zi me qytetet evropiane dhe roaming falas si një hap të sigurt përpara drejt anëtarësimit në BE.
“Viti 2026 sjell përfitime të reja konkrete nga BE-ja edhe para anëtarësimit. Ne i afrojmë njerëzit, integrojmë tregun tonë në atë evropian, nxisim rritjen ekonomike”, tha Spajić në X.
Edhe pse nuk është anëtar i BE-së ose i eurozonës, Mali i Zi është një nga dy vendet, së bashku me Kosovën, që kanë miratuar në mënyrë të njëanshme euron si monedhën e tyre de facto.
Për Guvernatoren e Bankës Qendrore të Malit të Zi, Irena Radović, anëtarësimi i vendit në SEPA ishte më shumë sesa “transferta më të lira”, por më tepër një pjesë integrale e vetë ekonomisë së BE-së.
“Për një eksportues malazez të verës ose shërbimeve dixhitale, pagesat nga klientët e BE-së që dikur zgjasnin me ditë dhe kishin tarifa të larta, tani shlyhen brenda disa orësh me kosto minimale”, tha Radović.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ekonominë maqedonase, e cila karakterizohet nga një shkallë e lartë e hapjes tregtare dhe një vëllim i madh pagesash ndërkufitare”, tha të enjten Ministrja maqedonase e Financave Gordana Dimitrieska-Kochoska, sipas shtypit vendas.
“Prandaj, potenciali për kursime të kostove, për përmirësimin e likuiditetit dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive është i madh.”
BE-ja i dha zyrtarisht Moldavisë statusin e kandidatit më 22 qershor 2022 dhe që atëherë Kishinau e ka sanksionuar dëshirën e popullit të saj për t’u bashkuar me bllokun në kushtetutën e saj.
Gjashtë vendet që përbëjnë Ballkanin Perëndimor paraqitën kërkesat e tyre për anëtarësim në BE në kohë të ndryshme, ku Maqedonia e Veriut ishte e para, duke aplikuar në vitin 2004 dhe duke fituar statusin e kandidatit në vitin 2005.
Brukseli i dha Malit të Zi statusin e kandidatit në vitin 2010 dhe më pas Serbisë në vitin 2012. Shqipëria u bë kandidate me të drejta të plota për anëtarësim në vitin 2014.
Bosnjës dhe Hercegovinës iu dha statusi i vendit kandidat të BE-së në vitin 2022, por nuk ka hapur negociatat me Brukselin, ndërsa Kosova mbetet e vetmja kandidate e mundshme për anëtarësim në bllok.
BE-ja ka lëshuar gjithashtu fonde për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e paketës së financimit të bllokut për Ballkanin Perëndimor, tha ekzekutivi i BE-së të enjten, një vendim që njeh “reformat e rëndësishme” që partnerët kanë bërë për t’u përshtatur më mirë me standardet e BE-së.
Një total prej 99.3 milionë eurosh i është ndarë Shqipërisë, 18.3 milionë euro Malit të Zi dhe 25 milionë euro Maqedonisë së Veriut sipas planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor 2024-2027.
Vendet që përbëjnë SEPA-n përfshijnë të 27 shtetet anëtare të BE-së, plus Mbretërinë e Bashkuar, Islandën, Norvegjinë, Zvicrën, Lihtenshtajnin dhe disa vende të tjera jo-anëtare të BE-së, si Andorra, Monako, San Marino dhe Qyteti i Vatikanit.