Pas suksesit të dokumentarit “Beckham” që solli në ekran jetën e David Beckham, këtë vit Netflix ka publikuar një seri të re të përqendruar te bashkëshortja e tij, modelja dhe këngëtarja e njohur, Victoria Beckham.
Dokumentari i ri zbulon historinë e transformimit të saj nga një këngëtare pop e grupit “Spice Girls” në një dizajnere të respektuar ndërkombëtarisht – një udhëtim i mbushur me pasiguri, dështime, por edhe me një forcë të jashtëzakonshme për të mos u dorëzuar.
Në premierën e mbajtur në Londër, Victoria foli për periudhën më të vështirë të jetës së saj pas ndarjes së grupit “Spice Girls”.
“Ndihesha e humbur. Kujtoj që mendoja: ‘Zot, çfarë do të bëj tani?’, gjithçka që njihja kishte mbaruar”.
Ajo tregoi edhe për presionin mediatik të asaj kohe, përfshirë momentin kur kishte shtuar peshë vetëm gjashtë muaj pas lindjes së djalit të saj.
“Isha shumë e re dhe më lëndoi vërtet. Fillova të dyshoja në vetvete dhe të mos e pëlqeja më veten”.
Në dokumentar, ajo pranon se për vite është përballur me një çrregullim në ushqyerje.
“Kur ke një çrregullim të tillë, bëhesh mjeshtër në fshehje. Nuk isha kurrë e sinqertë për këtë, as me prindërit e mi”, shpjegon ajo, duke pranuar se kritikat për pamjen e saj e kishin dëmtuar thellë emocionalisht.
Pas zhvendosjes së familjes në Spanjë në vitin 2003, Victoria ndjeu nevojën të qëndronte në qendër të vëmendjes për të ruajtur identitetin e saj.
“E vlerësoja atë që kisha, por më mungonte qëllimi. Duhej të gjeja diçka që të ishte vetëm e imja”.
Në vitin 2008, Victoria themeloi markën e saj të modës, por përballja me botën e modës ishte e ashpër.
Vetëm në vitin 2013, redaktorja legjendare e Vogue pranoi ta ndiqte për herë të parë. Megjithatë, sukseset nuk e shpëtuan nga vështirësitë financiare. Në vitin 2016, biznesi i saj gjendej në krizë.
“Ishim miliona në humbje. Ishte e dhimbshme për të dy”, kujton David Beckham, i cili pranoi se s’mund ta ndihmonte më financiarisht në atë periudhë.
Një investim i ri në vitin 2017 nga biznesmeni David Belhassen e shpëtoi kompaninë, megjithëse fillimisht ai vetë e konsideroi projektin “një katastrofë”.
“Nuk kishin bërë kurrë fitim. Shpenzonin 80 mijë euro në vit vetëm për bimë zyre”, rrëfeu ai.
Victoria e pranoi se dikur kishte humbur kontrollin.
“Nuk e kuptoja sa e shthurur isha me paratë. Njerëzit kishin frikë të më thoshin ‘jo’”.
Por falë përkushtimit dhe këmbënguljes, në vitin 2022 marka e saj doli më në fund nga humbjet, duke shënuar një kapitull të ri në jetën e një gruaje që refuzoi të ndalej, edhe kur bota dyshonte tek ajo.
“Kam mësuar që kontrolli i vërtetë nuk vjen nga pasqyrat apo nga pesha, por nga mënyra si e sheh veten”.