“28 Years Later”: Fansat tronditen pasi një mesazh i fshehur në trailer i çon në një faqe sekrete – duke zgjidhur një mister dydekadësh
Fansat e filmit horror post-apokaliptik “28 Years Later” kanë mbetur të habitur kur një mesazh i fshehur në trailerin e filmit i çoi drejt një faqeje të fshehtë në internet – duke zgjidhur një mister që i kishte preokupuar prej dy dekadash.
Filmi, që do të lansohet në qershor, është pjesa e tretë e sagës pas “28 Days Later” (2002) dhe “28 Weeks Later” (2007).
Afro 30 vite pas përhapjes së të ashtuquajturit “virusi i tërbimit” nga një laborator armësh biologjike në Mbretërinë e Bashkuar, që shkatërroi qytetërimin në Ishujt Britanikë, një grup i vogël të mbijetuarish jeton i fshehur në një ishull të vogël.
Por kur njëri prej tyre del për të eksploruar tokën kryesore, përballet me tmerre të vërteta nga popullsia e infektuar.

Vazhdimi i sagës, që vjen 18 vite pas pjesës së fundit me Jeremy Renner, mori vëmendje të madhe kur fansat menduan se kishin parë personazhin e Cillian Murphy-t të rikthyer si zombi në trailer – gjë që më vonë u hodh poshtë.
Në film luajnë Jodie Comer, Aaron Taylor-Johnson dhe Ralph Fiennes, ndërsa rikthehen shkrimtari origjinal Alex Garland dhe regjisori Danny Boyle, duke e bërë një nga lansimet më të pritura të vitit.
Marketingu i filmit ka tërhequr vëmendjen, pasi në trailer janë shfaqur simbole misterioze që zgjatën vetëm një kuadër.
Fansat më të vëmendshëm zbuluan se këto simbole përfaqësonin një mesazh të fshehtë, që deshifrohej përmes “pigpen cipher” – një kod me forma gjeometrike që përfaqësonin shkronja.
Mesazhi rezultoi të ishte “memento mori” – një frazë latine që do të thotë “kujto që do të vdesësh”.

Ky ishte një fjalëkalim për një faqe të fshehtë të quajtur RageLeaks.net. Pasi futën fjalëkalimin, fansat gjetën dy lidhje:
- Një mesazh që thotë:“Virusi na solli më shumë se tërbimin. Trishtimin për shtëpinë e humbur. Fajin për ata që lamë pas. Zemërimin për të vërtetat që po na fshihen. Kanë kaluar pothuajse 28 vite që nga shpërthimi. E ende, asnjë copë e vetme e së vërtetës nuk ka dalë. Ata thonë se është për të mirën tonë. Por çfarë po fshehin akoma? Klasifikojnë imazhe satelitore. Ndalojnë komunikimin me komunitetet e të mbijetuarve. Shtypin thashethemet dhe diskreditojnë raportet që sugjerojnë se të infektuarit janë përshtatur. Nuk duan që ne të shohim. Por ne duhet të dëshmojmë. Të gjithë.”
- Një “raport mbikëqyrjeje” mbi nivelin e rrezikut nga infeksioni që vjen nga “Komuna Lindisfarne”, ishulli i vogël në karantinë ku jetojnë protagonistët – bashkë me disa foto të komunitetit.
Më vonë, u shtua edhe një lidhje e tretë në faqe, me titull “Life on Patrol”, që tregon një postim në Instagram nga një llogari fiktive “samiexlovexann”, me një selfie në varkë të një çifti.
Përshkrimi është në gjuën suedeze dhe përkthehet:
“Carsten ishte dashur të ishte kthyer para disa ditësh. Po mundohem të mos mendoj keq, thjesht më mungon shumë.”
Komentet:
alexjoman028: “Mos u shqetëso, anijet duhet të jenë gjithmonë të qeta. Ai do të lajmërohet shpejt.”
mattttingen06: “Nuk duket se ka shumë aktivitet atje. Por sigurisht, të vazhdojmë të shpenzojmë burime për këtë mision.”
Megjithëse kuptimi i plotë i postimit dhe komenteve mbetet mister, fansat e kanë interpretuar si një shenjë të madhe se një pjesë e njerëzimit ka mbijetuar.
Kjo çështje ka qenë një pikëpyetje kryesore në seri – pasi në dy filmat e parë, virusi shihet të ketë prekur vetëm Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa përhapja globale është e panjohur. Por në fund të filmit “28 Weeks Later”, një skenë pas krediteve tregonte se zombitë kishin arritur deri në Paris.
Alex Garland, skenaristi, ka thënë këtë vit se filmi i ri nuk bie ndesh me ngjarjet e pjesës së dytë, por ka shtuar:
“Fjala ‘kanon’ nuk është një fjalë që Danny Boyle e përdor shumë.”
Pra, regjisori Boyle, i njohur edhe për “Trainspotting”, mund të mos i përmbahet domosdoshmërisht vijës narrative të Parisit, që ishte ide e një regjisori tjetër, Juan Carlos Fresnadillo.
Gjithsesi, nuk dihet ende saktësisht sa larg është përhapur virusi – edhe pse faqja sekrete tregon se disa pjesë të botës mund të jenë ende të paprekura.
Një komentues në Reddit tha:
“Interesante që në këtë version alternativ ku Britania është në karantinë, ekziston Instagrami – pra do të thotë që edhe Facebook, YouTube e rrjetet tjera ekzistojnë. Do të ishte interesant të dihej çfarë teorish konspirative ndajnë boomers-at e Facebook-ut atje!”
Pavarësisht kësaj, kuptimi i vërtetë i këtyre sinjaleve mbetet i paqartë – dhe vetëm shton padurimin për lansimin e filmit këtë verë.
Traileri i ri i “28 Years Later” u publikua muajin e kaluar, por Cillian Murphy nuk u pa askund, ndonëse ai ishte “ngacmuar” për një rikthim.
Fansat spekuluan mbi rikthimin e tij si Jim, personazhi nga filmi i parë i vitit 2002, para se Murphy të arrinte famë botërore dhe çmimin Oscar.
Në mars, regjisori Boyle tha në CinemaCon:
“Si të gjitha gjërat e mira në jetë, ndoshta duhet të prisni pak që ta shihni Cillian-in të rikthehet.”
Megjithatë, producenti Andrew Macdonald konfirmoi se Murphy nuk do të jetë në filmin e parë të trilogjisë së re, por është i përfshirë si producent ekzekutiv dhe mund të rikthehet në një nga filmat pasues.
“28 Years Later” del në kinema në qershor 2025.