Video/ Tragjedia në Nigeri: Shpërthimi i cisternës i merr jetën 94 personave
storm•/Afrika: Një shpërthim i fuqishëm në veriun e Nigerisë ka marrë jetën e të paktën 94 personave, të cilët u dogjën të gjallë teksa përpiqeshin të mblidhnin karburant nga një cisternë e aksidentuar. Ngjarja tragjike ndodhi pasditen e vonë të së martës në fshatin Majiya, ku banorët lokalë u afruan për të mbledhur karburantin e derdhur pas përmbysjes së cisternës.
Sipas burimeve lokale dhe raportimeve nga CNN, shoferi humbi kontrollin e cisternës, e cila përfundoi në një kanal kullues, duke derdhur sasi të mëdha karburanti. Pikërisht në momentin kur banorët po tentonin të përfitonin nga derdhja, ndodhi shpërthimi fatal.
Raportohet se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa të paktën 50 persona janë plagosur rëndë dhe ndodhen në gjendje kritike për jetën. Shpërthimi ka tronditur gjithë zonën, duke lënë pas viktima të shumta dhe dëme të pallogaritshme.
(Shikoni videon tronditëse të shpërthimit që ka tronditur Nigerinë)