Një numër i madh studentësh dhe qytetarë, kanë protestuar mbrëmjen e së enjtes para ndërtesës së Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) në Beograd, ku tentuan të pengojnë transmetimin.
Protesta para RTS-së u caktua për shkak se studentët pretendojnë se transmetuesi publik nuk raporton për aktivitetet e tyre.
“Studentët bllokuan parkingun dhe rrugën Takovska para objektit të RTS-së. Një pjesë e studentëve u drejtuan drejt Aberdarevës dhe hyrjes tjetër të objektit të RTS-së, duke thirrur ‘studentët bllokojnë, punëtorët në grevë’ dhe kërkojnë të jenë në programin e drejtpërdrejtë”.
Ata u përpoqën të bëjnë sa më shumë zhurmë në protestën e sotme me bilbila, tenxhere dhe instrumente goditëse, si ajo e mbrëmjes së kaluar para Presidencës kur foli kreu i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Studentët po bllokojnë një numër të madh fakultetesh dhe rektorate në gjithë Serbinë, duke kërkuar hapjen e të gjitha dokumenteve për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad ku 15 persona humbën jetën më 1 nëntor si rezultat i shembjes së një pjese të ndërtesës, arrestimin e përgjegjësve dhe atyre që sulmuan studentët gjatë protestave, si dhe lirimin e të gjithë aktivistëve.