Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka mbajtur sot një konferencë për media para objekteve të KEDS/KESCO, ku ka dorëzuar dëshmi që sipas tij vërtetojnë manipulimet me njehsorët elektrikë.
Azemi ka akuzuar drejtpërdrejt menaxhmentin e kompanisë për vjedhje dhe inkasim të paligjshëm të mjeteve financiare nga qytetarët e Kosovës. Sipas tij, faktet e mbledhura nga LDK-ja janë të pakontestueshme dhe nxjerrin në pah një skemë mashtrimi me tarifat e energjisë.
„Erdha këtu për t’i dorëzuar këto dëshmi dhe për t’ju treguar se faktet nuk rrejnë. Këta po rrejnë sepse kanë inkasuar hyra dhe mjete financiare në mënyrë të paligjshme ndaj qytetarëve. Kanë deklaruar se të dhënat po manipulohen, por e vërteta është se manipulimi po ndodh brenda sistemit të tyre“, deklaroi Azemi.
Kërkesa për përgjegjësi penale dhe kritika ndaj ZRrE-së Gjatë konferencës, Azemi njoftoi se do të kërkojë takim me menaxhmentin e KEDS-it për t’ua prezantuar këto fakte, ndërsa paralajmëroi se kjo situatë përbën vepër penale për të cilën duhet dhënë përgjegjësi.
„Kjo është vepër penale. Prej këtu duhet të shkojmë edhe te zyrat e ZRrE-së, sepse ata nuk e kanë monitoruar implementimin e vendimeve për tarifat e qytetarëve të Kosovës“, shtoi ai, duke kritikuar Zyrën e Rregullatorit për Energji për neglizhencë në mbikëqyrjen e operatorit.
LDK-ja ka bërë thirrje që institucionet e drejtësisë të nisin hetimet menjëherë për të zbardhur të vërtetën rreth faturimeve të energjisë elektrike, të cilat po rëndojnë xhepin e qytetarëve.



