Storm/Editorial: Vizitat e shtrenjta jashtë vendit nga udhëheqësit e Kosovës kanë ngritur gjithmonë pikëpyetje, dhe duket se ky trend po vazhdon edhe me udhëheqësit aktualë, Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Gjatë vizitës së saj gati njëjavore në SHBA, Presidentja Osmani është kritikuar për mungesë transparence dhe mungesë të rezultateve konkrete. Postimet e saj në rrjetet sociale kanë qenë të mbushura kryesisht me fotografi, duke ngjarë më shumë me albume personale sesa me raportime për takime e saj zyrtare dhe nësë ka pasur arritje të rëndësishme në emër të Republikës së Kosovës.
Kjo sjellje ngre pyetje mbi qëndrueshmërinë e kritikave të mëparshme që Osmani dhe Kurti kanë bërë ndaj ish-udhëheqësve për “vizita të shtrenjta dhe jo produktive”. A thua vallë kemi të bëjmë vetëm me ndryshim të figurave, por jo të mentalitetit? Ndërsa këta “liderë të rinj” pretendonin se vizitat e tyre jashtë vendit do të përmirësonin marrëdhëniet e Kosovës me aleatët euroatlantikë dhe do të ndihmonin në avancimin e çështjes së njohjës së sovranitetit të Kosovës edhe më shumë, shumë njerëz më të drejt mund të pyesin nëse këto udhëtime janë vërtet efektive apo thjesht një shfrytëzim tjetër i buxhetit të shtetit nga njerëz në emër të shtetit.
Në një kohë kur Kosova ka nevojë për diplomaci të fuqishme dhe përpjekje konkrete në skenën ndërkombëtare, mungesa e rezultateve të dukshme nga vizitat e udhëheqësve të saj në SHBA dhe jo vetëm, lë hapësirë për kritika dhe dyshime mbi efikasitetin e këtyre lëvizjeve. Në vend të fotografive dhe elozheve, qytetarët presin përparime të prekshme dhe angazhime të vërteta diplomatike të kryeinstitucionalistëve / Storm-rks