Kosova ka rënë nën 15 gradë Celsius, duke përjetuar një ndryshim të madh të temperaturave, të shoqëruar me shi dhe të ftohtë, veçanërisht gjatë natës. Si zakonisht në këto periudha, qeveria ka hapur thirrjet për subvencionimin e blerjes së pajisjeve “efikase” për ngrohje gjatë dimrit. Një njoftim i tillë është shpërndarë edhe nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili vazhdimisht thekson se “si askund tjetër më parë”, Kosova po ecën përpara edhe me këtë projekt.
Nëse dikush që nuk e njeh Kosovën do të lexonte këto njoftime, mund të mendonte se Kosova është një shtet i sapolindur, ku çdo hap është një arritje e madhe dhe sikur ne sapo po fillojmë të ndërtojmë një shoqëri të mirëorganizuar.
Por për t’u kthyer te thelbi i çështjes, si për rënien e temperaturave, ashtu edhe për subvencionimin e qeverisë për pajisjet ngrohëse, pyetja që shtrohet është: **Si do të furnizohen këto pajisje me energji elektrike?** Në Kosovë, jemi të njohur për çmimin e lartë të energjisë elektrike, e cila shpesh mungon për periudha të gjata. Mbrëmë ka pasur ndërprerje të shpeshta të energjisë në disa rajone të vendit, përfshirë edhe disa lagje e fshatra të Prishtinës.
Kujtojmë se një nga vendimet e para të qeverisë Kurti ishte ndërprerja e projektit të termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të plotësonte nevojat për energji elektrike, si për konsum ashtu edhe për zhvillimin ekonomik. Ky termocentral do t’i mundësonte Kosovës të prodhonte mjaftueshëm energji për të shitur edhe në tregjet ndërkombëtare, duke sjellë përfitime për buxhetin dhe për ekonominë e vendit.
Sot, kur temperaturat po bëhen gjithnjë e më të ftohta, qeveria po subvencionon disa pajisje për ngrohje, por nuk ka siguruar burimin e nevojshëm për t’i vënë ato në punë – energjinë elektrike. Edhe kur energjia është e sigurt, çmimi i saj është shumë i lartë për xhepat e qytetarëve, duke kaluar përtej mundësive të shumicës.
Editorial + lajm
by: Storm-rks + rrjetet sociale