Tragjedia që mori jetën e Pajtim Bajramit, Asllan Musliut dhe Istref Zekajt nuk po kalon si një “aksident i radhës” në Austri. Policia e Vjenës, përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se tashmë është urdhëruar autopsia e viktimave për të përcaktuar saktësisht shkaqet e vdekjes.
Hetimet janë shtrirë në të gjithë zinxhirin e punimeve, duke verifikuar nëse ishin respektuar rregullat strikte të mbrojtjes në punë në momentin e shembjes së betonit.
Alarmi i Sindikatës: “Përgjegjësia është kolektive”
Reagimi më i ashpër ka ardhur nga kreu i Sindikatës së Ndërtimit (GBH), Josef Muchitsch. Ai ka goditur sistemin e kontraktorëve, duke thënë se faji nuk duhet kërkuar vetëm te “fati i keq”, por te mungesa e llogaridhënies.
“Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Nga porositësi te kontraktorët e deri te personat që punojnë në kantier, të gjithë mbajnë përgjegjësi. Bëhet fjalë për jetë njerëzish. Duhet bërë gjithçka që çdo punëtor të kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë në mbrëmje,” — deklaroi Muchitsch për mediat austriake.



