Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot masakrat e kryera më 31 mars 1999 në fshatrat Pastaselë të Rahovecit dhe Burim të Malishevës, duke i cilësuar ato si akte të rënda gjenocidale kundër njerëzimit.
Përmes një mesazhi përkujtimor, Osmani rikujtoi mizorinë e regjimit serb ndaj popullatës civile shqiptare, ku dhjetëra të pafajshëm u ekzekutuan brutalisht brenda një dite.
“Më 31 mars 1999, në Pastaselë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor. Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli. 13 persona mbijetuan që ta mbajnë mbi supe kujtesën dhe të vërtetën që nuk duhet të harrohet kurrë”, ka shkruar Presidentja.
Ajo vuri në dukje se e njëjta makineri vrasëse goditi rëndë edhe komunën e Malishevës në të njëjtën datë.
“Makineria vrasëse e Serbisë, po atë ditë në Burim të Malishevës, ekzekutoi brutalisht 42 civilë”, shtoi ajo, duke nënvizuar se plagët e këtyre krimeve mbeten të hapura sa kohë që mungon drejtësia.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Presidentja Osmani theksoi se paqja e qëndrueshme në rajon mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e drejtësisë për viktimat e luftës.
“Pa drejtësi, nuk ka paqe të qëndrueshme. Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri!”, përfundoi Osmani.



