spot_img
E martë, 14 Tetor, 2025
17:20
HomeRajoniMali i ZiVon der Leyen: Mali i Zi është afër anëtarësimit në BE

Von der Leyen: Mali i Zi është afër anëtarësimit në BE

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

“Synimi që Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian është me të vërtetë pranë arritjes”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa hapi konferencën e parë për investime Mali i Zi-BE në vendpushimin turistik Lushtica, pranë Tivatit.

Von der Leyen tha se janë bërë hapa pozitivë dhe se ka ardhur koha të investohet në Mal të Zi.

- Advertisement -

“Ju jeni shumë ambiciozë dhe kjo na pëlqen”, tha shefja e Komisionit Evropian.

Siç theksoi zyrtarja evropiane, duhet të përshpejtohen reformat në fushën e sundimit të ligjit, të ketë transparencë në prokurimet publike dhe në këtë mënyrë të dërgohet një sinjal se Mali i Zi është një vend i besueshëm për zhvillimin e biznesit.

- Advertisement -

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, vlerësoi se BE-ja është partnerja më e rëndësishme strategjike dhe investuesja më e madhe në Mal të Zi.

Ai njoftoi për një cikël investimesh që e presin Malin e Zi në vitet e ardhshme.

“Një cikël që do t’i tërheqë mbi 3 miliardë euro. Ky është mesazhi kryesor që nga sot: Mali i Zi është i hapur për biznes dhe se tani është koha për të investuar”.

Spajiq përsëriti qëndrimin se Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në BE.

“Deri në fund të vitit 2026 do t’i mbyllim të gjithë kapitujt e negociatave, në mënyrë që të bëhemi anëtar i bllokut deri në fund të vitit 2028”, tha Spajiq.

Ai theksoi, gjithashtu, se kjo është një mundësi për BE-në që të tregojë se politika e zgjerimit “është gjallë”.

Në konferencë, e cila iu kushtua zhvillimit të qëndrueshëm, do të prezantohen katër projekte të investimeve evropiane në ekonominë e Malit të Zi dhe do të nënshkruhen dhjetë memorandume mirëkuptimi në fusha të ndryshme.

Brukseli vlerëson politikën e jashtme të Podgoricës
Në konferencën për media pas hapjes së konferencës, Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian e vlerëson shumë përafrimin e Malit të Zi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Brukselit, veçanërisht sa u përket raporteve me Rusinë.

“Agresioni rus kundër Ukrainës e ka riformësuar kontinentin tonë. Çdo komb evropian duhet të zgjedhë vendin dhe anën e tij, dhe Mali i Zi e ka bërë tashmë këtë zgjedhje shumë qartë. Ju jeni plotësisht të harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. E vlerësojmë thellësisht vendimin për të dërguar ushtarë malazezë për të mbështetur misionin tonë të trajnimit për Ukrainën”, tha von der Leyen.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos. Qershor, 2025.
SHIKONI EDHE:
Pse në Mal të Zi luhatet besimi në BE?
Ajo e inkurajoi Malin e Zi që t’i shfrytëzojë 380 milionë eurot nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe po ashtu njoftoi se vitin e ardhshëm do të hiqet roaming-u mes Malit të Zi dhe BE-së.

“Mali i Zi tani do t’i marrë 8 milionë euro pasi i ka përmbushur kushtet, por duhet të vazhdojë me reformat për të arritur te kushtet për shfrytëzimin e të gjithë fondit prej 380 milionësh që është paraparë për Malin e Zi”, tha zyrtarja e lartë evropiane.

Raport i ri i Progresit i BE-së, më 4 nëntor
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, tha se raporti i Komisionit Evropian për progresin e Malit të Zi pritet të publikohet më 4 nëntor.

“Është një pasqyrë reale e gjendjes, do të reflektojë rezultatet e mëdha që janë arritur në periudhën e kaluar, por do të tregojë edhe sfidat dhe detyrat që duhet të përmbushim në periudhën e ardhshme”.

Në atë raport do të vlerësohet përmbushja e kritereve për anëtarësim, me fokus në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit, në fushën e demokracisë dhe përafrimit me ligjet e BE-së.

Që nga raporti i vitit të kaluar, Mali i Zi i ka mbyllur katër kapituj negociues, i fundit në qershor, që ka të bëjë me prokurimin publik.

Më herët, në dhjetor 2024, mbylli tre – kapitullin 7 (E drejta dhe pronësia intelektuale), 10 (Shoqëria informatike dhe mediat) dhe 20 (Ndërmarrësia dhe politika industriale).

Mali i Zi i ka nisur negociatat e anëtarësimit me BE-në para 13 vjetësh dhe deri më tani i ka mbyllur shtatë kapituj negociues nga gjithsej 33.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat