Von der Leyen shpërndan fonde për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – por e anashkalon Kosovën
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë turit të saj në Ballkanin Perëndimor këtë javë, ka konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për rrugën e anëtarësimit të vendeve të rajonit. Në një postim zyrtar të Komisionit Evropian, ajo ka bërë të ditur se janë lëshuar fondet e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor për tre vende: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit, vendimi vjen si njohje për përparimin e këtyre shteteve në reformat që i afrojnë më shumë me standardet e BE-së. Shqipëria do të përfitojë 99.3 milionë euro, nga të cilat 46.2 milionë do të derdhen drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të financojë projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Mali i Zi do të marrë 8.1 milionë euro, kurse Maqedonia e Veriut 15.9 milionë euro, me struktura të ngjashme financimi.
Megjithatë, Kosova mungon në listën e përfituesve, diçka që vërehet qartë edhe nga vetë komunikata zyrtare e Komisionit. Kjo përjashtim, sipas analistëve evropianë, reflekton marrëdhënien e tensionuar mes Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Burime diplomatike në Bruksel kanë theksuar se von der Leyen “nuk e honeps Kurtin” për shkak të qëndrimeve të tij të ashpra dhe mungesës së fleksibilitetit në raport me BE-në dhe dialogun me Serbinë.
Që nga nisja e Planit të Rritjes, fondet e disbursuara arrijnë në 99.3 milionë euro për Shqipërinë, 18.3 milionë për Malin e Zi, dhe 23.8 milionë për Maqedoninë e Veriut. Sipas Komisionit Evropian, ky plan synon të nxisë përgatitjen e vendeve të Ballkanit për anëtarësim në BE, duke ofruar përfitime ekonomike përpara integrimit të plotë.