Zbulimet e fundit sugjerojnë se rezervuarët e hidrogjenit janë të varrosur në rajone të panumërta të botës, duke përfshirë të paktën 30 shtete të SHBA-së.
Gjetja e rezervuarëve të tillë mund të ndihmojë në përshpejtimin e një tranzicioni global të energjisë, por deri më tani, gjeologët kishin vetëm një kuptim të pjesshëm se si formohen akumulime të mëdha të hidrogjenit – dhe ku t’i gjejnë ato.
“Loja e momentit është të gjesh se ku është lëshuar, grumbulluar dhe ruajtur”, tha për Live Science, Chris Ballentine, profesor dhe kryetar i gjeokimisë në Universitetin e Oksfordit dhe autor kryesor i një artikulli të ri mbi prodhimin e hidrogjenit në koren e Tokës.
Artikulli i ri i Ballentine fillon t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.
Sipas autorëve, korja e Tokës ka prodhuar hidrogjen të mjaftueshëm gjatë 1 miliard viteve të fundit për të përmbushur nevojat tona aktuale të energjisë për 170,000 vjet.
Ajo që është ende e paqartë është se sa nga ky hidrogjen mund të aksesohet dhe të nxirret me fitim.
Në përmbledhjen e re, të botuar të martën (13 maj) në revistën Nature Reviews Earth and Environment, studiuesit hartojnë një listë “përbërësish” të kushteve gjeologjike që stimulojnë krijimin dhe grumbullimin e gazit natyror të hidrogjenit nën tokë, gjë që duhet ta bëjë më të lehtë kërkimin e rezervuarëve.
Lidhur me këtë: Yellowstone mban një rezervë potencialisht të pashfrytëzuar të heliumit ‘pa karbon’ për raketa, reaktorë dhe superpërçues.
“Kushtet specifike për akumulimin dhe prodhimin e gazit të hidrogjenit janë ato që një numër kompanish eksplorimi (p.sh. Koloma, e financuar nga një konsorcium i udhëhequr nga fondi Bill Gates Breakthrough Energy, Hy-Terra e financuar nga Fortescue dhe Snowfox, e financuar nga BP [British Petroleum] dhe RioTinto) po i shqyrtojnë me kujdes dhe kjo do të ndryshojë për mjedise të ndryshme gjeologjike”, tha Ballentine.