Policia izraelite dhe agjencia e inteligjencës vendase Shin Bet kanë bërë të ditur se kanë arrestuar një rrjet qytetarësh izraelitë që spiunonin për Iranin, të cilët dyshohet se jepnin informacione mbi bazat ushtarake dhe kryenin vëzhgime të individëve.
Hetuesit pretenduan se rrjeti kishte qenë aktiv për rreth dy vjet.
Sipas raporteve në shtypin izraelit, të dyshuarit akuzohen për fotografimin dhe mbledhjen e informacionit rreth bazave dhe objekteve izraelite, duke përfshirë shtabin e mbrojtjes në Tel Aviv, të njohur si Kirya dhe bazat ajrore Nevatim dhe Ramat David.
Baza Nevatim u vu në shënjestër nga dy sulmet me raketa të Iranit këtë vit dhe Ramat David ka qenë në shënjestër të Hezbollahut.
“Ky është një nga rastet më serioze të sigurisë të hetuara në vitet e fundit”, thanë prokurorët e shtetit.
Policia tha se grupi kishte kryer 600 misione gjatë dy viteve.
Lajmet për rrjetin e dyshuar, i cili përfshin dy të mitur, pasojnë arrestimin në shtator të një biznesmeni izraelit të akuzuar për spiunazh për Iranin.
Sipas akuzave kundër tij ai kishte udhëtuar dy herë në Iran për të diskutuar mundësinë e vrasjes së kryeministrit, Benjamin Netanyahu, ministrit të mbrojtjes, Yoav Gallant, ose kreut të agjencisë së inteligjencës vendase Shin Bet, Ronen Bar.
Raportet përshkruanin individët e arrestuar si emigrantë hebrenj nga Azerbajxhani që jetonin në zonën e Haifa-s, disa të lidhur, të cilët u arrestuan pak më shumë se një muaj më parë dhe pritet të akuzohen për ndihmën e një armiku në kohë lufte.
Sipas një deklarate të lëshuar të hënën, shtatë shtetasit izraelitë u arrestuan për mbledhjen e informacionit të ndjeshëm mbi bazat e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe infrastrukturën energjetike.
Sipas Haaretz, të dyshuarit dyshohet se kanë marrë qindra mijëra dollarë në transferta parash nga ndërmjetësit rusë, si dhe në kripto monedha.
Tre nga të dyshuarit u kapën ndërsa dyshohet se fotografonin vende të ndjeshme në jug të Izraelit dhe policia zbuloi dhjetëra dokumente në zotërim të tyre.
“Hetimet zbuluan se gjatë një periudhe që kalon dy vjet, të dyshuarit ekzekutuan misione të shumta sigurie nën drejtimin e dy agjentëve të inteligjencës iraniane të njohur si ‘Alkhan’ dhe ‘Orkhan’”, thuhet në një deklaratë.



