spot_img
E diel, 28 Shtator, 2025
01:44
HomeOpinioneEditorialeZgjedhjet e 9 Shkurtit: shpresa përtej zhurmës

Zgjedhjet e 9 Shkurtit: shpresa përtej zhurmës

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Hysen Beqa – Shkrimtar dhe njohës i zhvillimeve socio-politike

Kosova sot nuk është më ajo që ishte dikur. Qetësia e brishtë që karakterizonte të kaluarën është lëkundur, ndërsa zhurma e frustrimeve ka pushtuar çdo hapësirë publike. Ata që janë prej vitesh në pushtet duket se kanë harruar premtimet që dikur bënin si opozitarë. Nga ana tjetër, opozita përsërit ato që nuk arriti t’i realizonte gjatë kohës së saj në qeverisje.

Me afrimin e zgjedhjeve, gara e ideve dhe projekteve është zëvendësuar nga një betejë e ashpër akuzash e ofendimesh. Dështimet e së shkuarës janë kthyer në armë për të goditur kundërshtarët politikë, pavarësisht sa të largëta mund të jenë ato. Në këtë mjedis të zhurmshëm, ku britmat e turmave mbushin sheshet, lufta e ideve është heshtur, dhe askush nuk merr mundimin të dëgjojë apo të reflektojë.

- Advertisement -

Të flasësh për planet për të ardhmen duket e kotë. Politikanët janë shndërruar në idhuj të paprekshëm, më shumë sesa përfaqësues të vullnetit të qytetarëve. Ndoshta kështu është e paracaktuar të jetë politika – një treg ku shiten premtime dhe ideale të lira, të cilat blihen nga ata që shpresojnë t’i shesin më shtrenjtë në një pazar tjetër, ndoshta në një odë apo kafene.

Regjistrimet e fundit tregojnë se popullsia e Kosovës ka rënë në pak më shumë se 1.5 milion, por kjo statistikë kalon pa shqetësuar askënd. As largimi masiv i trurit dhe krahut të punës nuk përbën më një problem në diskutimet e mëdha politike. Në një vend që fle mbi thëngjill dhe feston nën dritën e qirinjve, jeta e përditshme është një kujtesë e përhershme e krizave të energjisë dhe të zhvillimit.

- Advertisement -

Megjithatë, pyetja mbetet: A ka shpresë? Ose më saktë, a duhet të ketë shpresë? Përgjigjja ime është e qartë: Po! Shpresa nuk qëndron te politikanët që fishkëllijnë në kor apo te ata që heshtin para turmave. Ajo qëndron te qytetarët e lirë, ata që nuk janë robër të partive apo ideologjive, te ata që nuk janë kapur peng nga frustrimet e momentit. Shpresa është te arsyetimi dhe qartësia, jo te britmat e shurdhëta.

Më 9 shkurt, fuqia e ndryshimit është në duart e qytetarëve të zakonshëm. Ata që votojnë pa u ndikuar nga presioni i zhurmës, pa u mashtruar nga iluzionet e krijuara me zell nga të frustruarit. Zgjedhjen e tyre do ta udhëheqin studentët e ndritur, intelektualët e ndershëm dhe ata që e shohin të ardhmen me arsye e pasion.

Në fund, zëri i qetësisë së tyre do të jetë më i fuqishëm se çdo zhurmë tjetër, duke sjellë shpresë për një të nesërme më të mirë.


Ky shkrim paraqet qëndrimet ekskluzive të autorit.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat