Ashtu siç kishin paralajmëruar, demokratët refuzuan të bëheshin pjesë e konsultimeve me kreun e shtetit për datën e zgjedhjeve, duke e cilësuar farsë dhe të paracaktuar atë nga socialistët.
Në zyrën e Presidentit Begaj u ngjitën vetëm përfaqësuesit e mazhorancës, Niko Peleshi dhe Blendi Klosi.
Pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste tha se kishin propozuar 11 Majin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Për të përgatitur sa më shumë këtë proces dhe për t’i lënë më shumë kohë emigrantëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje kemi kërkuar datën 11 Maj, data më e skajshme e mundur nga hapësira që të jep Kodi Zgjedhor të jetë data e zgjedhjeve”, tha Blendi Klosi.
Në të njëjtën linjë me socialistët ishte edhe kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, i cili tha se për përgatitjen e votës së disporës dhe votimit elektronik nevojitej më shumë kohë.
“Ne rekomanduam tek Presidenti i Republikës që të jetë data 11, edhe pse kjo kërkesë mund të jetë e përputhur me kërkesën e dikujt tjetër, por nuk ka lidhje”.
Në mbyllje të konsultave me partitë politike reagoi edhe kreu i shtetit, i cili tha se caktimi i datës së zgjedhjeve nuk është thjesht një detyrim kushtetues dhe as procedurë formale juridike, por një sprovë e fuqishme bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithë faktorit politik dhe institucional në emër të zgjedhësve.
“Detyra madhore e aktorëve politikë është t’i shndërrojnë zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 2025 në histori suksesi për shqiptarët dhe demokracinë shqiptare, ku duhet të shkëlqejë zbatimi i ligjit, korrektesa dhe etika në komunikimin e platformave, respekti për zgjedhësit dhe vullnetin e tyre të shprehur me votë”, deklaroi Bajram Begaj.
Javën e kaluar, kreu i shtetit u takua edhe me partitë e vogla parlamentare, të cilët kërkuan nga Presidenti Begaj të dekretojë 4 Majin si datë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.