Palestinezët e kanë pritur me frikë dhe gëzim, marrëveshjen e arritur mes Hamasit dhe Izraelit.
Ata u kanë thënë mediave ndërkombëtare se deri në hyrje në fuqi të marrëveshjes, Izraeli do të intensifikoj sulmet.
Festa e palestinezëve u bë në oborrin e Spitalit të Dëshmorëve Al-Aksa, i cili ka parë shumë funerale dhe trupa të shtrirë përtokë.
Gjatë kohës sa po festohej, janë dëgjuar zhurma të mëdha të altilerisë së rëndë dhe bombardimeve izraelite në kampin e refugjatëve Bureij dhe Nuseirat.
Të lumtur janë shprehur edhe familjarët e izraelitëve që po mbahen peng nga Hamasi, që nga tetori i vitit të kaluar, megjithëse shqetësimet për gjendjen e tyre mbeten të mëdha, shkaku i mungesës së informacioneve.
Në konferencën për media, kryeministri i Katarit, ka thënë se marrëveshja do të çojë në lirimin e robërve izraelitë dhe një rritje të ndihmës humanitare për Gazën.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha më herët se disa klauzola në marrëveshjen e Gazës mbetën “të pazgjidhura” por shpresonin që “të finalizonin [ato] sonte”.
Ndërsa, presidenti izraelit Isaac Herzog tha në një deklaratë televizive se marrëveshja e shpallur midis Izraelit dhe Hamasit ishte “lëvizja e duhur” për të sjellë të gjithë robërit në shtëpi.
“Si president i shtetit të Izraelit, unë them me termat më të qartë: Ky është hapi i duhur. Kjo është një lëvizje e rëndësishme. Ky është një veprim i domosdoshëm”, tha Herzog, roli i të cilit është kryesisht ceremonial.
“Nuk ka detyrim më të madh moral, njerëzor, çifut apo izraelit sesa të na kthejnë djemtë dhe vajzat tona”.
Presidenti në largim i SHBA ka thënë se anëtarët kryesorë të administratës së tij “punuan pa pushim” për të arritur marrëveshjen.
“Do të vëreja gjithashtu se kjo marrëveshje u zhvillua dhe u negociua nën administratën time, por kushtet e saj do të zbatohen në pjesën më të madhe nga administrata e ardhshme”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Gjatë ditëve të fundit, ne kemi folur si një ekip”, tha Biden.
Ndërkohë, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) u ka kërkuar autoriteteve egjiptiane, palestineze dhe izraelite që të lejojnë gazetarët e huaj në Gaza.
Ai gjithashtu i kërkoi komunitetit ndërkombëtar “të hetojë në mënyrë të pavarur shënjestrimin e qëllimshëm të gazetarëve që është dokumentuar gjerësisht” që nga fillimi i luftës në tetor 2023.
“Gazetarët kanë paguar çmimin më të lartë – me jetën e tyre – për t’i dhënë botës një pasqyrë të tmerreve që kanë ndodhur në Gaza gjatë kësaj lufte të zgjatur, e cila ka shkatërruar një brez gazetarësh dhe redaksish palestinezë”, tha Jodie Ginsberg.
Sipas një raporti të CPJ-së, të paktën 165 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në Gaza që nga fillimi i konfliktit.
Më herët të mërkurën, forcat izraelite shtuan sulmet në Gaza , duke bombarduar një strehë të kthyer në shkollë dhe disa shtëpi në të gjithë Rripin dhe duke vrarë të paktën 62 njerëz gjatë periudhës së fundit të raportimit 24-orësh.
Lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 46,707 palestinezë dhe ka plagosur 110,265 që nga 7 tetori 2023.
Të paktën 1,139 njerëz u vranë në Izrael gjatë sulmeve të udhëhequra nga Hamasi atë ditë dhe më shumë se 200 u zunë robër.



