Dr. Khalil Al-Daqran, zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, u tha mediave se nga të vdekurit, 90 ishin nga qyteti i Gazës, ku Izraeli po vazhdon sulmin e tij.
Dje, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kishin çmontuar më shumë se “120 vende të infrastrukturës terroriste” në ditët e fundit dhe kishte vrarë më shumë se 30 persona, të cilët tha gjithashtu se ishin terroristë.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kohët e fundit kanë shënjestruar edhe ndërtesa të larta në qytetin e Gazës, duke i rrafshuar ato si pjesë e sulmit të tyre tokësor.
Sipas raportimeve në mediat izraelite, IDF kontrollon pjesë të periferive lindore të qytetit të Gazës dhe ka sulmuar pjesë të tjera të qytetit nga atje.
Pavarësisht kërkesës që palestinezët të evakuohen nga zona dhe të zhvendosen në jug, shumë prej tyre janë ende në qendër urbane.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se do të ngrejë temën e “masakrave” izraelite në Gaza në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme.
Duke folur përpara nisjes për në Nju Jork, ku do të zhvillohet takimi, tha se shpresonte që njohja më e gjerë e Palestinës do të përshpejtonte përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.
Ai tha gjithashtu se shpresonte të takohej me presidentin e Sirisë, Ahmed al Sharaa dhe presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer pritet ta bëjë njoftimin sot për njohjen e Palestinës, pasi në korrik tha se qeveria e tij do të ndërmerrte hapin nëse Izraeli nuk përmbushte kushte të caktuara.
Kryeministri i kishte bërë thirrje qeverisë së Benjamin Netanyahut të ndërmerrte hapa thelbësorë për t’i dhënë fund “situatës së tmerrshme në Gaza”, të binte dakord për një armëpushim, të angazhohej për një paqe të qëndrueshme afatgjatë, të lejonte OKB-në të rifillonte furnizimin me ndihma dhe të mos aneksonte Bregun Perëndimor.
Ministria e jashtme izraelite e hodhi poshtë deklaratën e tij, me Netanyahun që pretendonte se “Starmer shpërblen terrorizmin monstruoz të Hamasit dhe ndëshkon viktimat e tij”.