Tarifat e reja të energjisë elektrike, të cilat fillimisht ishin paraparë të hynin në fuqi më 1 prill, pritet të shtyhen deri më 1 maj. Lajmi është bërë i ditur nga kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu.
Në një deklaratë për mediat, Fejzullahu sqaroi se tarifat aktuale do të mbeten në fuqi edhe gjatë muajit prill, ndërsa struktura e re tarifore do të aplikohet vetëm nga muaji pasues. Zakonisht, ZRRE-ja bën shqyrtimin vjetor të tarifave në fund të marsit, por ky vit ka sjellë kërkesa të shumta nga operatorët për rritje të çmimeve.
Kërkesat e operatorëve për vitin 2026 Tre operatorët kryesorë energjetikë në Kosovë (KESCO, KOSTT dhe KEDS) kanë dorëzuar aplikimet e tyre që në janar, duke kërkuar rritje të të hyrave të lejuara:
-
KESCO: Ka kërkuar një rritje mbi 20 për qind të tarifave, duke u thirrur në koston e lartë të importit dhe rritjen e pagës minimale nga Qeveria. Kjo kompani kërkon që të hyrat e lejuara të jenë 528.78 milionë euro (nga 436 milionë sa ishin vitin e kaluar).
- Advertisement - -
KEDS: Kërkon 235 milionë euro, rreth 21 milionë më shumë se kërkesa fillestare e vitit paraprak.
-
KOSTT: Ka aplikuar për mbi 99 milionë euro për të ofruar shërbime më cilësore.
Arsyet e rritjes: Importi dhe riparimet në KEK Një faktor kyç në këto kërkesa është edhe plani i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për rehabilitimin e njësive gjeneruese. Gjatë vitit 2026, parashihet që njësia B1 e termocentralit Kosova B të jetë jashtë funksionit për rreth tetë muaj për shkak të punimeve. Kjo situatë pritet të kufizojë prodhimin vendor dhe të rrisë varësinë nga importi i shtrenjtë i energjisë.
ZRRE-ja ka bërë të ditur se të gjitha kërkesat do t’i nënshtrohen një shqyrtimi të rreptë dhe do të aprovohen vetëm ato kosto që vlerësohen si të arsyeshme dhe të bazuara.
Tarifat aktuale që mbeten në fuqi deri në maj: Për momentin, konsumatorët do të vazhdojnë të paguajnë me çmimet ekzistuese:
-
Deri në 800 kWh: 9.05 centë (dita) / 3.88 centë (nata).
-
Mbi 800 kWh: 15.43 centë (dita) / 7.28 centë (nata).



