Rreth Vitit të Ri, disa figura kyçe të administratës së presidentit Donald Trump kanë vazhduar të bëjnë publike shtatzëni të reja, duke ushqyer narrativën e ashtuquajtur “baby boom” në Shtëpinë e Bardhë.
Pas njoftimit të fundit nga Zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe bashkëshortja e tij, Usha Vance, për pritjen e fëmijës së tyre të katërt, në dhjetor u raportua gjithashtu se Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, si dhe Stephen Miller – zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe arkitekti i politikave të ashpra kundër imigracionit – do të mirëpresin anëtarë të rinj në familjet e tyre gjatë këtij viti. Vetë presidenti Trump u bë gjysh për herë të re gjatë mandatit të tij vitin e kaluar.
Kjo prirje përputhet me ndjenjat e bazës konservatore amerikane, e cila vlerëson familjet e mëdha dhe e konsideron një familje me të paktën tre fëmijë si modelin ideal. Fox News madje e ka përshkruar situatën si një “baby boom” në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa njoftimet për shtatzëni vazhdojnë të shtohen.
J.D. Vance, i martuar me Ushën që nga viti 2014 dhe tashmë baba i tre fëmijëve, pritet të mirëpresë djalin e tij të katërt rreth muajit korrik. Ai është zëvendëspresidenti i tretë më i ri në historinë e SHBA-së dhe kanë kaluar rreth 150 vjet që nga hera e fundit kur një zëvendëspresident në detyrë pati një fëmijë, në vitet 1870. I njohur për qëndrimet e tij konservatore dhe theksin mbi rëndësinë e familjes, Vance mori pjesë më 23 janar në një marsh kundër abortit në Uashington, ku deklaroi: “Kam thënë vazhdimisht se një nga gjërat që dua të shoh në Amerikë janë më shumë familje dhe më shumë foshnja.” Ai shtoi se “ky është një zëvendëspresident që praktikon atë që predikon”.
Në të njëjtën ditë, kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Min-seok, gjatë një takimi me Vance, e uroi atë për shtatzëninë, duke thënë me humor: “Në Kore do të kishit marrë një çmim për këtë.”
Ndërkohë, në natën e Vitit të Ri, Stephen Miller njoftoi se bashkëshortja e tij, Katie Miller, është shtatzënë. Çifti, i martuar në shkurt të vitit 2020, ka tashmë një vajzë 5-vjeçare dhe dy djem të moshave 3 dhe 2 vjeç. Miller, një figurë me ndikim në rrethet konservatore, drejton edhe një podcast ku shpesh fton emra të njohur të administratës Trump, përfshirë Sekretarin e Shtetit Pete Hegseth dhe drejtorin e FBI-së, Kash Patel.
Karoline Leavitt gjithashtu tërhoqi vëmendje kur njoftoi pak pas Krishtlindjeve se do të bëhet nënë për herë të dytë në maj të vitit të ardhshëm. Ajo është e martuar me një bashkëshort 32 vite më të madh në moshë.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur SHBA-ja po përballet me një rënie të ndjeshme të lindshmërisë. Administrata Trump ka paralajmëruar dhe zbatuar politika të ndryshme për ta rritur atë, ndërsa vetë Trump e ka quajtur veten “presidenti i fertilizimit”. Sipas kritikëve, këto përpjekje lidhen edhe me shqetësimin se për shkak të lindshmërisë më të lartë te hispanikët dhe grupe të tjera etnike, amerikanët e bardhë – baza tradicionale konservatore – mund të humbasin statusin e shumicës.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara vitin e kaluar, norma totale e fertilitetit në SHBA ka rënë në nivelin historik prej 1.59 fëmijë për grua.



