spot_img
E shtunë, 7 Mars, 2026
21:25
HomeKosovaSveçla: Serbia përgjegjëse për shpërthimin në Ibër-Lepenc, 8 persona të arrestuar

Sveçla: Serbia përgjegjëse për shpërthimin në Ibër-Lepenc, 8 persona të arrestuar

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Tetë persona janë arrestuar për rastin e sulmit terrorist në kanalin e ujit Ibër – Lepenc.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencën e jashtëzakonshme ka thënë se Beogradi zyrtarë është përgjegjës për shpërthimin në Ibër-Lepenc.

- Advertisement -

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Sipas tij, janë konfiskuar një arsenal armësh, eksplozivësh e uniformash.

“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit…Qeveria e Kosovës me institucionet e saj nuk do të ndalet derisa të gjithë këta kriminelë e terroristë të arrestohen dhe të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.

- Advertisement -

Ministri i Punëve të Brendshme ka deklaruar se shumica e pajisjeve janë të prodhimit serb, por që disa pajisje janë ekskluzive ushtarake që nuk gjenden as në tregun e zi.

“Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material që vështirë që gjendet, pos që furnizimet janë nga magazinat e ushtrisë. Ne besojmë se ato kanë dalë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Policia e Kosovës do ta verifikojë këtë”, ka theksuar Sveçla.

Sveçla, ka thënë se përgjegjëse për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Kosova e mban përgjegjëse Serbinë.

“Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale terroriste siç janë sulmet e fundit me granata në Zveçan dhe tani edhe sulmi i fundit terrorist i ndodhur mbrëmë ndaj infrastrukturës kritike janë sulme që dirigjohen nga Serbia dhe për këtë e mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar”, ka thënë ai.

Sveçla e ka cilësuar shpërthimin në Zubin-Potok si aktin më të rëndë të pasluftës.

“Ky sulm terrorist s’është vetëm një sulm i rëndomtë, por i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimizohet dëmtimi ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ministri.

Hoxha: Janë konfiskuar arsenal armësh e uniformash ushtarake

Kurse, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se tri sulmet e fundit në veri janë kualifikuar si sulme terroriste që kanë pasur synim ta cenojnë sigurinë e Kosovës. Sipas tij, të arrestuarit mund të kenë lidhje me kryeterroristin Milan Radoiçiq, porse ka shtuar se mbetet punë e hetuesisë për të konfirmuar rolin e secilit të arrestuar.

Drejtori i Policisë ka thënë se gjatë bastisjeve të sotme kanë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

Ndërsa në një bastisje të ndarë në Zveçan, Policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme armatimi, 2 AK47, 3 revole, 1 armë gjuetie, 2 armë rekreative, 6 karikator të AK47, municion e uniforma ushtarake.

Ai ka dhënë detaje edhe për shpërthimin në Ibër-Lepenc.

“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, dyshohet se në këtë sulm është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit 15-20 kilogram, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe e cila është aktivizuar me detonatorë mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, ka sqaruar Hoxha.

Hoxha, ka thënë  se gjatë muajve të fundit institucionet e Kosovës janë sfiduar nga grupet e caktuara kriminale dhe terroriste, të cilat me përdorimin e armëve kanë për qëllim të cenojnë dhe të kërcënojnë sigurinë dhe rendin kushtues të Republikës së Kosovës.

“Që nga muaji qershor i vitit 2024, në komunat me shumicë serbe në veri të vendit janë evidentuar 10 raste të sulmeve me mjete shpërthyese, të cilat ishin të drejtuara ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etniciteti, pronës së tyre, ndaj institucioneve të Kosovës, si dhe ndaj infrastrukturës kritike të vendit”, ka theksuar Hoxha.

Konferencë e jashtëzakonshme e policisë, pas sulmit në Ibër-Lepenc

Policia e Kosovës është duke mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media në Qendrën Njësive Speciale “Enver Zymberi” në Mitrovicë. Në konferncë janë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë Gazmend Hoxha.

Kjo paraqitje i dedikohet zhvillimeve në veri të vendit, pas sulmit terrorist të ndodhur ndaj infrastrukturës kritike, gjegjësisht dëmtimit të kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Siç është bërë e ditur gjatë ditës, disa të dyshuar janë arrestuar në fshatrat e Zubin-Potokut, pas bastisjeve nga Policia e Kosovës lidhur me shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Përveç arrestimeve, është raportuar se policia ka konfiskuar edhe disa materiale të ndryshme. Kështu ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti.

“Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit dhe deri tani ato kanë kryer bastisje ku ka edhe të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë”, ka theksuar Kurti.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat