Në vitet e fundit, rrjetet sociale janë bërë një burim i pazëvendësueshëm informimi, duke i afruar njerëzit me zhvillimet në kohë reale. Në këtë kontekst, edhe politikanët kryesorë të Kosovës i kanë përqafuar këto platforma për të qenë më pranë qytetarëve. Por sa efektivë janë ata në komunikimin përmes mediave sociale?
Sipas një analize të fundit nga STORM-rks, disa udhëheqës Institucional në Kosovë përdorin profilet e tyre personale për të ndarë aktivitete që lidhen me detyrat zyrtare, një praktikë e diskutueshme që bie ndesh me etikën institucionale të shteteve të zhvilluara. Në vendet perëndimore, udhëheqësit krijojnë llogari zyrtare të institucioneve, të cilat arkivohen pas përfundimit të mandatit.
Në Kosovë, sjellja në rrjetet sociale është e ndryshme midis politikanëve. Albin Kurti, meqë siç e cekëm më lartë i ngatërrojnë profilet edhe kur jenë udhëheqës shtetëror edhe kur jenë vetëm në cilësinë e kryetarëve të partive, është aktiv në rrjetin social Facebook, sepse agjenda e të parit të qeverisë “ia imponon” të jetë ashtu, ndryshe dyshojmë s’do të dallonte shumë nga homologet e tij nga partitë e tjera?! Ndërsa, kur bëhet fjalë për kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë më të rezervuar në postime, duke publikuar një ose dy herë në disa ditë. Postimet e tyre duket se përqendrohen në aktivitete të mëdha ose pamje “të kuruara” që synojnë të mbajnë një imazh të pastër.
Në anën tjetër, Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, është më i luhatshëm në përdorimin e rrjeteve sociale. Ndonjëherë publikon disa herë brenda një dite, ndërsa në raste të tjera mund të kalojnë ditë pa asnjë postim. Ndërkohë, kandidati për Kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, është më pasiv, me postime të rralla, pavarësisht kandidaturës së tij për një pozicion të lartë.
Një figurë shumë aktive është Dardan Molliqaj, kryetari i PSD-së, i cili përmes postimeve të rregullta në Facebook e shpreh kundërshtimin e tij të ashpër ndaj politikave të qeverisë.
Me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme në shkurt të vitit 2025, pritet që përdorimi i rrjeteve sociale nga politikanët të rritet ndjeshëm. -STORM-rks- do të jetë në shërbim të të gjithë kandidatëve, duke u siguruar që qytetarët të kenë informacion të drejtëpërdrejt mbi premtimet dhe planet e tyre.
Në fund të fundit, është qytetari ai që do të zgjedhë, duke analizuar jo vetëm premtimet, por edhe komunikimin e hapur dhe të vazhdueshëm të politikanëve.
by: storm-rks + profilet e të apostrofuarve