Kompania ruse Gazprom, njoftoi se dërgesat e mbetura të gazit duke përdorur tubacionin e vjetër tranzit, përmes Ukrainës në Evropë, u ndaluan tërësisht të mërkurën pasi kontratat e vitit 2019 skadoi.
“Për shkak të refuzimit të përsëritur dhe të shprehur qartë të palës ukrainase për të rinovuar këto marrëveshje, Gazprom-it iu privua aftësia teknike dhe ligjore për të furnizuar gaz për tranzit përmes territorit të Ukrainës nga 1 janari 2025”, tha Gazprom në një deklaratë në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Kompania tha se fluksi i furnizimit u ndal në 8 të mëngjesit me orën e Moskës.
Pse po ndalojnë dërgesat?
Qeveria në Kiev kishte thënë se nuk do të zgjaste ose rinovonte kontratat ndërkohë që pushtimi i Rusisë vazhdon, të paktën jo nëse mund të aranzhohej ndonjë dispozitë për pagesa të vonuara ose të ngrira për Gazprom, gjë që kritikët thanë se nuk ishte e realizueshme.
“Ne ndaluam tranzitin e gazit rus. Kjo është një ngjarje historike. Rusia po humbet tregjet e saj, do të pësojë humbje financiare. Evropa tashmë ka marrë vendimin për të braktisur gazin rus”, tha në një deklaratë të mërkurën ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko.
Ukraina e kishte ndaluar blerjen e gazit rus që në vitin 2015, një vit pas aneksimit rus të Krimesë, por vazhdoi të shërbente si një vend tranzit për shtetet tjera në Evropë.
Cilat vende janë prekur, cilat jo?
Anëtari i BE-së dhe NATO-s Sllovakia dhe kryeministri i saj Robert Fico u përplasën me Ukrainën dhe Presidentin e saj për ndalimin.
“Ndalimi i tranzitit të gazit nëpërmjet Ukrainës do të ketë një ndikim drastik mbi ne të gjithë në BE, por jo në Federatën Ruse”, tha Fico të mërkurën në një postim në Facebook.
Fico madje shkoi në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin pasi nuk arriti të sigurojë një formë zgjatjeje në samitin e liderëve të BE-së në dhjetor. Pavarësisht kritikave të zëshme të Ficos, qeveria e tij thotë gjithashtu se ka mjaft gaz të grumbulluar dhe se nuk parashikon probleme afatshkurtra.
Kompania sllovake e tranzitit Eustream tha të mërkurën se furnizimi nëpërmjet Ukrainës nga Rusia ishte ndalur.
Moldavia shteti jo-anëtar i BE-së ishte përdoruesi tjetër kryesor i gazit rus. Qeveria e saj ka paralajmëruar se mund t’i duhet të shkurtojë përdorimin e gazit deri në një të tretën.
Vendet e Evropës Qendrore, përfshirë Hungarinë dhe Serbinë, marrin pjesën më të madhe të gazit të tyre nga Rusia nëpërmjet një tubacioni tjetër nënujor – Rrjedha Turke – dhe kështu janë kryesisht të paprekura nga ndryshimi në Ukrainë.
Importet e energjisë në BE nga Rusia: Shumë të reduktuara, ende domethënëse
Ukraina tani përballet me humbjen e rreth 800 milionë dollarëve (afërsisht 770 milionë euro) në vit në tarifat e tranzitit nga Rusia, ndërsa Gazprom do të humbasë afërsisht 5 miliardë dollarë në shitjet vjetore të gazit.
BE-ja ka sanksionuar disa forma të dërgesave dhe importeve ruse të energjisë, por nuk i ka ndaluar ato plotësisht, pavarësisht nga një synim i deklaruar për t’i eliminuar përfundimisht.
Dërgesat ruse në Evropë janë reduktuar masivisht nga kulmi i tyre i vitit 2018, kur Gazprom eksportoi 201 miliardë metra kub gaz në kontinent.
Gazsjellësi Yamal-Evropë përmes Bjellorusisë është mbyllur gjithashtu dhe rruga NordStream përmes Detit Baltik në Gjermani u hodh në erë në vitin 2022.
Në vitin 2023, Rusia dërgoi rreth 15 miliardë metra kub gaz përmes Ukrainës në Evropë, nga më afër 65 miliardë metra kub kur filloi kontrata e fundit pesëvjeçare në vitin 2020.
Disa përdorues të mëparshëm të tubacionit, si Polonia, i ndaluan blerjet e tyre më shpejt se të tjerët.
Në vitin 2023, 14.8% e furnizimit total të gazit të BE-së ende vinte nga Rusia, krahasuar me 47% në 2021 para pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.



